Ferat Shala: Raporti i Progresit 2025 i rikonfirmon të gjitha vërejtjet dhe shqetësimet që i kemi ngritur si Parti Demokratike dhe si deputet

Raporti i Progresit 2025 i rikonfirmon të gjitha vërejtjet dhe shqetësimet që i kemi ngritur si Parti Demokratike dhe si deputet, për dështimet dhe keqpërdorimet e qeverisë në sektorin e energjisë.
Raporti i Progresit 2025 i Komisionit Evropian paraqet një tablo të qartë të gjendjes problematike në sektorin e energjisë në Kosovë. Sipas raportit, Qeveria ka vonuar amendamentimin e ligjeve kyçe të energjisë, duke penguar harmonizimin me tregun evropian dhe zhvillimin e tregut të brendshëm.
Si pasojë, ka pasur ngecje edhe në transpozimin e akteve të tjera, përfshirë Rregulloren për Gatishmërinë ndaj Rreziqeve në sektorin e energjisë elektrike.
Siguria e furnizimit vlerësohet e kufizuar dhe pa përmirësime të dukshme. Devijimet në sistemin e transmetimit vazhdojnë edhe këtë vit, duke shkaktuar penalitete nga ENTSO-E, një situatë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të rajonit.
Problemet me linjat interkonektive me Serbinë mbesin të pazgjidhura, si pasojë e mungesës së presionit institucional dhe diplomatik për hapjen e kapaciteteve ndërkufitare. Edhe linjat me Shqipërinë vazhdojnë të mbeten të pashfrytëzuara, ndërsa çmimet e kapaciteteve me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë rritur ndjeshëm.
Në disa raste, qytetarët kanë paguar deri në 800 euro vetëm për kapacitetin me Malin e Zi, ndërsa me shpenzimet shtesë kostoja ka kaluar 1,000 €/MWh.
ZRRE vazhdon të funksionojë me mungesë stafi, buxhet minimal dhe pavarësi të kufizuar. Megjithatë, në prill 2025 miratoi rritje tarifash prej 16.1% për të gjithë konsumatorët – në një kohë kur vetë raporti thekson mangësitë serioze të institucionit, duke krijuar perceptimin e tarifave të larta pa llogaridhënie.
Edhe në fushën e energjisë së ripërtëritshme, ritmi mbetet i ngadaltë. Megjithëse është nisur ankandi i parë për energjinë e erës, dinamika e zhvillimit mungon dhe Kosova mbetet larg objektivave të Strategjisë së Energjisë.
Në pothuajse të gjithë kapitujt, raporti përsërit të njëjtën konstatim: “nuk ka pasur progres” ose “Kosova duhet të…”.
Ndërkohë që vendet fqinje avancojnë, Kosova mbetet në vend, e ngarkuar me kosto të larta dhe ngecje strukturore.
Raporti përmend edhe liberalizimin e tregut dhe daljen e rreth 1,300 konsumatorëve në tregun e lirë, pas vendimit të ZRRE-së. Por Gjykata Themelore tashmë ka konstatuar se ZRRE ka tejkaluar kompetencat me një vendim të tillë.
Në fund të ditës, qytetarët e Kosovës po paguajnë më shumë, ndërsa keqmenaxhimi dhe mungesa e vizionit të Qeverisë dhe ZRRE-së krijojnë terren për abuzime që rëndojnë drejtpërdrejt mbi konsumatorët dhe pasurojnë grupe të caktuara.

Kontrolloni gjithashtu

Mr.Ali Hertica

Ali Hertica: Kosova në kohë nën dritë

Humanizmi shpreh thellë besimin dhe mundësitë e arsyes, të cilat lënë përshtypje të fuqishme. Njëkohësisht, …