Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke theksuar se bllokada institucionale është produkt i drejtpërdrejtë i mungesës së kompromisit mes partive politike. Në një deklaratë për Front Online, të cilën e përcjell Gazeta Metro, Bosch u shpreh se klasa politike kosovare ka dështuar t’i vendosë interesat e shtetit mbi ato partiake. Sipas tij, situata e krijuar, që kulmoi me pamundësinë për të zgjedhur kryeministrin në dy tentime radhazi, është shembulli më i qartë i kësaj qasjeje të ngushtë politike. “Mesazhi im ka qenë gjithmonë i njëjtë: bëni kompromis dhe vendosni interesin e vendit mbi interesin e partisë. Sidomos buxheti duhej të ishte miratuar,” theksoi Bosch, duke kritikuar mosveprimin e partive në një moment kyç për stabilitetin e institucioneve. Ngërçi politik në Kuvend, që u krijua pas mungesës së shumicës për zgjedhjen e kryeministrit, e detyroi presidenten e vendit të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Procesi i jashtëzakonshëm zgjedhor është caktuar për 28 dhjetor, duke i futur qytetarët edhe një herë në një cikël të ri votimesh brenda vitit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
