Përplasja verbale mes deputetit të Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, dhe deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, gjatë seancës së thirrur para votimit të Glauk Konjufcës si mandatar për kryeministër, ka sjellë reagime edhe nga ekzekutivi në detyrë. Gjatë seancës, Bahtiri i ishte drejtuar Grudës me zë të lartë duke e pyetur: “A e ke pyet Listën Serbe që ke ardhë këtu?”, deklaratë kjo që nxit reagimin e menjëhershëm të deputetit të opozitës. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar këtë incident, duke u distancuar nga gjuha e përdorur nga Bahtiri. Ai e ka cilësuar deklaratën si një qasje krejtësisht personale dhe jo qëndrim që mund të lidhet me ndonjë institucion apo linjë të partisë. “Personalisht mendoj që Përparim Gruda nuk e ka pyetur Listën Serbe që të jetë apo mos të jetë në Kuvend,” tha Maqedonci për Kallxo.com, duke e hedhur poshtë insinuatën e deputetit të VV-së. Ai shtoi se komunikimi i tillë nuk përputhet me qasjen e tij profesionale:
“Unë si profesionist, e as në karakterin tim, s’e kam të theksuar aspektin e këtij lloj komunikimi. Është qasje individuale.” Përplasja në Kuvend është parë si një tjetër reflektim i tensioneve në rritje mes pozitës dhe opozitës, në një periudhë të mbushur me bllokada institucionale dhe përplasje politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
