Ylber Hasani: NË HAGË BURRAT E DHEUT I MBROJTËN BURRAT E DHEUT!

Në këto 10 ditët e fundit ka ndodhur diçka madhështore në Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Kosovës në Hagë: Atje burrat e dheut (shtatë burra të mëdhenj amerikanë) mbrojtën burrat e dheut (katër themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të UÇK-së).

Amerikanët si Xhems Rubin, ambasadori Kristofer Hill, ish-gjenerali i NATO-s, Vesli Klark dhe të tjerë, duke e mbrojtur në Gjykatën e Hagës burrin e dheut (ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin), ata kësisoj i mbrojtën edhe Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Çalin dhe të tjerët, si dhe kësisoj e mbrojtën edhe luftën e drejtë të UÇK-së dhe rrjedhimisht e mbrojtën edhe shtetin e pavarur të Kosovës.

Figurat e mëdha politike amerikane, tani më edhe duke qenë në moshë të shtyrë, kurrë nuk do të vinin në Hagë nga përtej Atlantikut për të mbrojtur kriminelë e vrasës, siç i ka akuzuar Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin Gjykata e Hagës, e themeluar nga Këshilli i Europës në bazë të një raporti të hartuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, të cilin në Këshillin e Europës e ka lexuar senatori zviceran Dik Marti, një antiamerikan dhe rusofil par excellence.

Ambasadori Kristofer Hill në dëshminë e tij ndër të tjera tha se Millosheviqi daljen në skenë të UÇK-së e kishte pritur me brengë e shqetësim, sepse me UÇK-në do ta kishte më vështirë se me Rugovën, edhe pse edhe Rugova e ka synuar pavarësinë. O Zot, sa i lumtur do të isha sikur për daljen në skenë të UÇK-së të ishte shqetësuar e brengosur vetëm Millosheviqi dhe të mos ishin shqetësuar e brengosur edhe disa të tjerë…!

Gjenerali Vesli Klark në dëshminë e tij e tha qartë se ata që e kishin sajuar gënjeshtrën sipas së cilës “UÇK-ja kishte bërë tregti organesh”, kishin qenë dy rusë! Dhe merreni me mend: në saje të shpifjes së dy rusëve ndaj UÇK-së të krijohet një gjykatë e tërë me një fond prej 500 milionë eurosh! Nuk thuhet kot se “Paraja e çon ujin përpjetë…!”

Por, derisa figurat politike madhore amerikane i mbrojnë katër themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, disa halabakë shqiptarë tani më ka 25 vjet me radhë s’kanë lënë gjë të keqe pa thënë për ta, duke i quajtur ata kriminelë e vrasës, kurse Hashim Thaçin edhe duke e quajtur spiun të Serbisë.

Një pjesë e këtyre halabakëve, në cilësinë e dëshmitarëve të mbrojtur, kanë dëshmuar në Gjykatën e Hagës kundër katër themeluesve dhe udhëheqësve të UÇK-së, duke bërë kundër tyre akuza të rreme për të fituar azil në vendet e Evropës dhe për të jetuar më mirë.

Para disa ditësh më erdhi një video ku shihej një plak i veshur me veshje kombëtare (me tirq të bardhë me gajtan dhe me një kësulë me shqiponjë), i cili në një shesh të Prishtinës, duke bërë me gisht drejt një ndërtese ku ishte vendosur fotografia e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit, thërriste si i çmendur duke thënë: “I kisha lutë si Zotin ata që e kanë vendosur në murin e kësaj ndërtese fotografinë e Thaçit dhe Veselit, që ta heqin atë fotografi, se ata janë kështu e ashtu…!”

Thirrjet e këtij halabaku për ta hequr nga muri i asaj ndërtese fotografinë e Thaçit dhe të Veselit ma kujtuan fotografinë e H. Thaçit, J. Krasniqit, K. Veselit e të R. Selimit të vendosura nga regjimi serb në pranverën e vitit 1997 në vende publike gjithandej Kosovës me shkrimin:

“KUSHDO QË I SHEH KËTA PERSONA DHE E NJOFTON POLICINË KA 100 MILIONË DINARË SHPËRBLIM!”

Veton Surroi, një politikan me nam, në librin e tij me titull Këmbët e Gjarprit, aq shumë e nënçmon Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, sa që thotë se për Kosovën do të ishte shumë më mirë nëse ata do të mbeteshin arsimtarë të lëndës së historisë të shkollave të mesme sesa që ishin bërë udhëheqës dhe politikanë…!

Por unë që s’jam politikan me nam nuk mendoj si Surroi. Unë them: shyqyr që nuk e kishte shkruar Zoti që Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi të mbeteshin arsimtarë historie të shkollave të mesme, sepse po të mbeteshin ata arsimtarë historie, sot Kosova do të ishte “Deo Serbije” (Pjesë e Serbisë).

Lufta e UÇK-së e organizuar dhe e udhëhequr nga Thaçi, Krasniqi dhe të tjerët i ka dhënë forcë e zemër jo vetëm shqiptarëve të gjallë, por thënë figurativisht edhe shqiptarëve të vdekur! Ajo, siç thuhet në popull, e ka “ngrehë kamën zhag”, duke kaluar si Luftë Çlirimtare e shqiptarëve edhe në Kosovën Lindore (Preshevë-Bujanoc-Medvegjë) dhe duke kaluar si Luftë Çlirimtare edhe në mesin e shqiptarëve në Maqedoni.

Tri luftëra çlirimtare kanë bërë shqiptarët në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit 21. Të tri këto luftëra i kanë organizuar dhe udhëhequr burrat e dheut!

 

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: ZGJEDHJE KEMI, POR ZGJIDHJE JO!

Po të ishim sa duhet të dinjitetshëm si popull, ne do ta bllokonim Parlamentin dhe …