Hristjan Mickoski, me kërkesën e të cilit janë bërë përpjekje për heqjen e ligjit, sipas të cilit krahas gjuhës maqedonase edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, në të gjitha ato vendbanime që janë të banuara me së paku 20% shqiptarë; me kërkesën e të cilit janë hequr nga sistemi rrugor i Maqedonisë tabelat e mëdha me emërtime në gjuhën shqipe të vendbanimeve shqiptare; Ministrja e Arsimit e të cilit, Vesna Janjevska, ia ka ndërprerë fjalën kryetarit të Tetovës, Bilall Kasamit, thjesht sepse ajo nuk e di gjuhën shqipe, tani pikërisht ky Kryeministër u uron shqiptarëve ditën e themelimit të alfabetit të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit, më 22 nëntor të vitit 1908!
Të bësh gjithë ato veprime kundër gjuhës shqipe të përmendura më lart dhe pastaj t’i urosh shqiptarët për ditën e themelimit të alfabetit të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit, kjo nuk është tjetër veçse një ironi dhe një cinizëm pa kufi?!
Vërtet, askush më shumë se Mickoski nuk e meriton çmimin NOBEL për ironi, cinizëm dhe demagogji?!
Por z. Mickoski nuk mund ta mbulojë veprimtarinë e tij antishqiptare me një urim, që s’është tjetër veçse një tallje e tij me të gjithë shqiptarët dhe sidomos me shqiptarët në Maqedoni! Si pas një fjale popullore shqiptare, ai duke ua uruar shqiptarëve ditën e alfabetit, nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përpjekur që “ta mbulojë atë të butën me ujin e nxehtë!”
Jo, z. Mickoski, nuk janë shqiptarët aq fëmijë sa që ti, pasi i ke “rrahur” ata mirë e mirë (duke ua shkelur shumë të drejta), tani t’i mashtrosh duke ua futur atyre nga një sheqerkë (urim) në gojë, sa për t’iu thënë: “Shihni sa i mirë që jam?”
Më kujtohet kur dikur, para 60 vitesh, kam qenë nxënës i klasës së tretë të shkollës fillore, kur kishim një mësuese me nerva, e cila pasi gjatë gjithë javës edhe për shkakun më të vogël na rrihte duart me thupër, në fund të javës (asokohe ditën e shtunë) na jepte nga një sheqerkë, duke na thënë: “Shihni sa e mirë që jam!”
Çuditërisht, Mickoski dhe ajo mësuesja ime e para 60 viteve ngjajnë me njëri-tjetrin si të ishin vëlla e motër! Por, derisa ajo mësuese ime e para 60 viteve ka rreth 40 vite që ka vdekur, “vëllai” i saj Mickoski jeton për të realizuar të vetmin mision që ka: shkatërrimin gradual të shqiptarëve të Maqedonisë si të tillë (dmth. si shqiptarë). Mickoski, që prej se ka ardhur në pushtet në maj të vitit 2024, gjenocidit ndaj shqiptarëve të Maqedonisë s’ka ditë që nuk ia ka bërë me sy!
P.S.: Derisa Mickoski i ironizon dhe i cinizon shqiptarët duke u uruar atyre ditën e themelimit të alfabetit të gjuhës shqipe, drejtoresha maqedonase e shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” në lagjen Butel të Shkupit ka marrë vendim që nxënësve shqiptarë t’u ndalojë përgatitjet për festimin e festës kombëtare shqiptare: 28 Nëntorit!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
