Kur përmend emrin e Mehmet Bojkajt, më shfaqet para syve figura e një burri të urtë, të vendosur dhe të palëkundur në rrugën e lirisë e të pavarësisë. Kam pasur privilegjin ta njoh nga afër dhe ta vlerësoj një njeri që nuk u lodh kurrë së qëndruari pranë popullit të tij, në ditë të mira e në ditë të vështira.
Mehmet Bojkaj nuk ishte vetëm kryetari i parë i Komunës së Deçanit pas luftës, ishte simbol i shpresës, i rilindjes institucionale dhe i besimit se ky vend mund e duhet të ndërtohet mbi vlera. Ai e mori drejtimin e komunës në një kohë të jashtëzakonisht sfiduese, por me përgjegjësi, përkushtim dhe vendosmëri ndërtoi modelin e kryetarit që punon për qytetarin, që e dëgjon popullin dhe që mbron interesin e përgjithshëm.
Rruga e tij nuk ishte e lehtë. I ndjekur, i torturuar dhe i dënuar nga gjykatat serbe gjatë viteve të ’90-ta, Mehmet Bojkaj mbeti i palëkundur në bindjen se liria fitohet vetëm përmes qëndresës dhe unitetit. Ai e përballoi dhunën me dinjitet, pa u nënshtruar kurrë padrejtësive, duke mos hequr dorë asnjëherë nga ideali i tij për një Kosovë të lirë e demokratike.
Në çdo takim e bisedë që pata me të, rrezatonte qetësi, maturi dhe një atdhedashuri të thellë, një atdhedashuri që nuk artikulohej me fjalë të mëdha, por shfaqej me vepra. Ishte njeri i fjalës, i vendimeve të drejta dhe i besimit se ky vend ka themele të forta kur udhëhiqet nga njerëz me integritet.
Përtej rolit të tij si udhëheqës, Mehmet Bojkaj ishte një mik i mirë, një bashkëbisedues i urtë dhe një njeri që e njihte peshën e përgjegjësisë publike. Ai dinte të dëgjonte, dinte të respektonte dhe dinte të ndërmerrte veprime në momente kur të tjerët hezitonin. Kjo e bëri për shumë njerëz figurën e një udhëheqësi që e ndërton besimin me vepra dhe jo me fjalë.
Trashëgimia e tij është më shumë se një kujtim, është një udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Shembulli i tij i njeriut të drejtë, të thjeshtë dhe të përkushtuar ndaj vendit i jep kuptim përpjekjes sonë kolektive për të ndërtuar institucione më të forta dhe një shoqëri më të drejtë.
Mehmet Bojkaj la pas një histori që do të kujtohet me respekt, mirënjohje dhe nderim. Për mua, ai do të mbetet gjithmonë një figurë që i shtoi dritë Deçanit dhe Kosovës. Për këtë, ai e meriton nderimin tonë të përjetshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
