Ricardo Gutiérrez: Sulmet e Sami Kurteshit ndaj gazetarëve janë të turpshme, Kurti të ndërhyjë menjëherë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, ka reaguar me tone të forta ndaj deklarimeve të anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, i cili e ka sulmuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, duke e quajtur “aleancë e grupeve kriminale”. Reagimi i Gutiérrez ka qenë i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke, duke kërkuar publikisht ndërhyrjen e menjëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në reagimin e tij, ai e ka cilësuar krahasimin me grupe kriminale si “të turpshëm dhe të padenjë”, duke theksuar se AGK është një organizatë e respektuar në nivel evropian, që mbron gazetarët dhe integritetin e profesionit të tyre. Sipas tij, sulme të tilla përbëjnë rrezik real për sigurinë e gazetarëve, duke krijuar klimë armiqësore dhe duke ulur besimin publik në mediat e pavarura. Gutiérrez paralajmëroi se tolerimi i gjuhës së tillë nga ana e qeverisë dërgon sinjal të rrezikshëm për lirinë e shprehjes në Kosovë. “Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po cenoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vetë vendin tuaj,” shkroi ai, duke shtuar se praktika të tilla “ngjasojnë me mafien” dhe duhet të ndalen para se të shkaktojnë pasoja të pariparueshme. Ai ritheksoi se sulmet verbale ndaj organizatave të gazetarëve shpesh paraprijnë kërcënimet dhe sulmet fizike, duke i bërë thirrje qeverisë që të distancohet qartë nga gjuha denigruese dhe të garantojë një ambient të sigurt për median e lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Arben Gashi: Qeveria Kurti, më e korruptuara në historinë e Kosovës

Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të Qeverisë Kurti, …