Misioni paqeruajtës i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka rritur praninë dhe patrullimet në të gjithë territorin e Kosovës, si pjesë e aktiviteteve të rregullta trajnuese dhe të gatishmërisë operacionale. Zëdhënësi i KFOR-it tha se këto veprime demonstrojnë aftësinë e forcave për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë që mund të ndikojë në stabilitetin e vendit dhe në sigurinë rajonale. Në njoftim theksohet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të gjatë, të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe lirinë e lëvizjes. Forca paqeruajtëse nënvizon se veprimet e saj janë plotësisht të paanshme dhe realizohen në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. Zëdhënësi shtoi se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş, mbetet në komunikim të rregullt me aktorët kryesorë të sigurisë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, drejtuesit e EULEX-it dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, për të siguruar transparencë dhe koordinim të plotë në çdo situatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
