AAK nominon Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër: Nis fushata me moton “Krah Teje”

Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka nominuar sot Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër dhe bartës të listës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Po ashtu, është miratuar lista prej 110 kandidatëve për deputetë, e hartuar duke respektuar parimin e përfaqësimit të balancuar rajonal, profesional dhe gjinor. AAK ka prezantuar gjithashtu sloganin zyrtar të fushatës, “Krah Teje”, i cili do të jetë boshti komunikues i programit zgjedhor. Ky program ndërtohet mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik. Në planin ekonomik, Aleanca synon një rritje vjetore prej 7 për qind dhe zgjerimin e GDP-së në intervalin prej 12 deri në 14 miliardë euro brenda mandatit qeverisës. Po ashtu, parashihet rritja e buxhetit të shtetit, nga rreth 4 miliardë euro sa parashikohet të jetë në vitin 2026, në 6.1 miliardë euro deri në vitin 2029. Sipas AAK-së, ky trend financiar garanton stabilitet të qëndrueshëm dhe krijon hapësirë për rritje të pagave e pensioneve. Me këtë platformë, AAK synon rikthimin e normalitetit, forcimin e mirëqenies qytetare dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në NATO dhe BE. Po ashtu, partia zotohet për rikthimin e partneritetit strategjik me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata e Apelit prapëson pjesërisht vendimin për dëmshpërblimin e Salih Mustafës

Paneli i Gjykatës së Apelit ka miratuar sot, me shumicë votash, një pjesë të ankesës …