Ish-diplomati Sylë Ukshini ka vlerësuar se në Kosovë është e domosdoshme të ndryshohet diskursi politik gjatë fushatave zgjedhore, duke theksuar se aktualisht dominojnë narrativa që nuk i shërbejnë zhvillimit të vendit. Ukshini tha se nga fushatat duhet të largohen dy narrativa problematike: ideja se shqiptari i mirë është vetëm ai që ka rënë dëshmor ose ai që jeton në diasporë. “Nga fushata duhet të hiqen dy elemente: narrativa se shqiptari i mirë është ai i vdekur ose ai që është në diasporë. Pa e mohuar kontributin e tyre, sepse edhe diaspora ka përvojë dhe rol të rëndësishëm, por jo të gjithë kanë kontribuar për lirinë e Kosovës. Shpesh ata që bëjnë tregime të mëdha, në fakt kanë kontribuar më së paku”, ka deklaruar Ukshini. Ai theksoi se diskursi i ashpër dhe emocional gjatë fushatave zgjedhore nuk i shërben interesit afatgjatë të Kosovës, duke shtuar se vendi ka nevojë për një qasje më racionale dhe strategjike. “Sipas mendimit tim, duhet të shihet se cili është pozicioni i Kosovës në dekadën e ardhshme dhe si mund të ngritet ky pozicion. Nëse mbetemi në narrativën e ‘katundit tonë të vogël’, atëherë e humbim hapin e zhvillimit dhe të integrimit”, u shpreh Ukshini.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
