Menderes Ibra: Të marrësh pjesë po, por, edhe të fitosh

Menderes Ibra: Të marrësh pjesë po, por, edhe të fitosh

1.

Dëgjojmë shpesh moton e njohur sportive: Me rëndësi është të marrësh pjesë. Përdoret si brez shpëtimi, kur sportistët këtheheshin nga garat sportive me rezultate të dobëta. Dhe ata, në vend se të ndjeheshin të turperuar, e të rrinin kokëulur, e përsërisnin atë me qësendi. Njerëzit sesi ndjenin një ligështi emocionale dhe e pranonin këtë justifikim. Së fundi, një trajner i njohur tha, se kjo moto, është vetëm  thirrja fisnike e humbësit. Valle, a ka ndodhur ndonjëherë, që fituesit ta përmendin këtë moto. Jo, asnjëherë, sepse ata në vend të justifikimeve sjellin fitoret e medaljet. Fituesit kanë një moto tjetër: “Veni, vidi, vici”, (Erdha, pashë, fitova)!

Ndodhë, që energjia në vend se për kryerjen e punëve, të shpenzohet në përgatitjen e justifikimeve vetëngushlluese. Ky mekanizëm vetëmbrojtës i njeriut, ndoshta ka kuptim deri në një farë mase, por, jo ama që të rritet doza e tij, deri në nivelet kur ‘ilaqi’ jo vetëm se humbë efektin, por ,shëndërrohet në të kundërtën e tij.  ”Është i ri, ka kohë që të mësojë ”, thuhet për ndonjë nxënës a student kur dështon. E keqja është, kur kjo shndërrohet në mentalitet justifikues për gjithcka, deri te shoqëria e shteti: ”Jemi shtet i ri ende, të tjerët e kanë krijuar shtetin shumë para nesh etj?!” Nganjëheë justifikimet për moskryerjen e punës, e ndërtohen aq bindshëm, saqë njeriu bëhet skllav i tyre.Mirepo, sa me shume qe u besohet atyre, aq  me shume i behet dem vetes!

2.

Shteti, askujt nuk i zbret nga lartë, përmes mekanizimit  ‘deus et machina’, që njeriu ta merr atë të gatshëm. Përkundrazi, duhet punë e madhe sakrifica, dije dhe shkathtësi, për ta krijuar, për ta zhzvilluar e mirëmbajtur. Dhe veçanerisht, për te fortifikuar bazamentin e tij – mentalitetin shtetformues.

Ish Presidenti i SHBA-ve A.Linkoln, ishte, lider i mirëfilltë dhe simbol i besnikërisë ndaj interesave të shtetit. Në ate kohë, lufta civile kërcnonte të zhbënte vendin, andaj udheheqja e shtetit ishte sfide serioze. Përmendet rasti i zgjedhjes se kryetarit të Gjykatës së Lartë, post ky që lakmohej nga të dy partitë kryesore, dhe që ishte shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit. Linkolni kishte propozuar një kandidat profesional e të denjë për atë post, me të cilin nuk kishte fare raporte të mira personale. Bile, kur bashkëpuntorët i treguan, se çka kishte shkruar  e folur ai keq kundër tij, Linkolni u përgjegj: “Ju madje nuk i dini të gjitha, se çka ka bërë ai kundër meje, mirëpo, sidoqoftë ai ka folur kundër meje, ashtu sikurse edhe unë jam shprehur mjaft ashpër ndaj tij. Besoj se jemi një me një”. Edhe përkundër kundërshtimeve të shumta, megjithatë Linkolni e propozoi në Kongres, dhe ai u zgjodh.

Qëllimi ishte i qartë: Që për secilën punë të zgjidhet njeriu më i mirë, e veçanërisht në postet udhëheqëse. Vetëdija e krijuar në SHBA, por, edhe në shtetet tjera të zhvilluara, nenkuptonte, se duke zgjedhur më të mirin në një post, përfitojnë të gjithë. Njerëzit e tillë, janë gurthemel i institucioneve të fuqishme, e këto të fundit janë kushti kryesor i zhvillimit të një shteti.

Sepse, në një shoqëri, që, nuk ka krijim të dijes, ka brutalitet të injorancës. Një shoqëri që nuk prodhon dije, apo, që mjaftohet me ndonjë surogat të saj, nuk ka se si t’i shpëtojë stërkeqjes e rrëgjimit, sot apo nesër, në këtë apo atë formë. Sepse, kur nuk prodhon diçka që të duhet, atëherë do ta kontrabandosh ose vjedhësh atë. Dhe, kështu fillon qarku vicioz, në të cilin hyhet lehtë dhe  shëndosh, po, nga kur dilet shumë vështirë dhe i gjymtuar.

Më 1991, kur Mart Laar u zgjodh kryeministër,  në Estoni situata nuk mund të ishte më e pashpresë, pas 50 vite nën BRSS kishte bërë që çdo gjë të shkatërrohej. Ekonomia ishte e varur nga ajo e Rusisë. Çdo gje, ishte si mos më  keq. Nuk kishte prodhim, papunësia, varfëria, pabarazia rriteshin pa u ndalë. Shitore të zbrazëta, rradhë të gjata për ushqim, dhe kufizim te artikujve elementarë si buka e qumështi. Inflacioni kishte arritur 1000 %.  Aq e rëndë, dhe kaotike ishte gjendja, saqë në mungesë të gazit për ngrohje, qeveria planifikonte që kryeqytetin ta zhvendoste në zonat rurale të vendit.

Komunizmi kishte rrënuar jo vetëm gjërat materjale, por edhe ato shpirtërore, kishte deklasuar moralin dhe vlerat njerëzore, duke trandur plotësisht qenjen e njeriut. Ishte humbur besimi dhe shpresa. Në këso kushtesh, Mart Laari më 1992 pas zgjedhjeve të para, u zgjodh kryeministër i shtetit pothuajse të shkërmoqur, që po shantazhohej nga Rusia, por, edhe nga pakica e fuqishme ruse brenda që përfshinte afer 35 % të popullsisë, që kërcnonin ta fundosnin shtetin e vogël. Megjithë këto vështërsi të brendshme e të jashtme, me ekonomi të rrënuar, pothujase pa resurse natyrore, prognoza e vetme për  Estoninë ishte e zymtë, askush nuk dyshonte në dështim total, çështja ishte vetëm se si, dhe sa shpejtë, do të fundosej në greminë, për të mos u ngritur kurrë më. Por…..

4.

…ndodhi ajo që nuk pritej, e që njihet si mrekullia e quajtur Estoni. Shteti me 1.3 milion banorë kapërceu vështërsitë e panumërta, dhe u ngrit me ritme të shpejta. Kryeministri Laari që pas ca vitesh mori edhe një mandat të dytë, dëshmoi një lidership të vërtete. Lideri dhe arkitekti i reformave ekonomike, që fliste rrjedhshëm gjuhët angleze, gjermane, finlandeze, suedeze dhe ruse, nuk u step para pengesave, dhe manifestoi vizion të qartë. Ai mori çmime prestigjioze ndërkombëtare për dijen, kurajon, rezultatet dhe vendosmërinë për t’i shërbyer vendit të tij. Vendimet e tij gjatë kësaj kohe ishin të rënda, por të drejta. Vite më pas ato duken, si ëndrra të trishta.

Si rezultat i reformave adekuate, dhe të lirive ekonomike si receta kryesore për prosperitet e zhvillim, u arrit transformim rapid, me normën më të lartë të rritjes ekonomike në Europë, (deri në 13% në vit). Standardi jetësor u rrit,  demokracia e pluralizmi u zhvilluan, tregtia u liberalizua, u zbatua privatizimi suksesshëm, papunësia ra nën 5.%, eksportet u rritën, investimet e huaja ishin të larta, borxhi publik dhe deficiti buxhetor ishin më të ulta se edhe të vendeve të BE-së. Vendi u bë anëtar i BE-së dhe NATO-s. Estonia ne nivel global u bë, një nga pesë vendet me sistemin më të zhvilluar arsimor, vendi me përdorimin më të lartë të e-qeverisjes etj. Nga një shtet i vogël që kërcnohej të zhbëhej, u bë shteti i vogël që ia doli. Ata, nuk e ngushëlluan veten, vetëm me pjesëmarrjen në gara, por edhe fituan. Ku ishte Estonia vetem disa vite me pare, dhe ku kishte arritur aq shpet!

5.

Mart Laar e kishte kuptuar, se duhet bërë reforma të thella, e se nuk kishte kohë për të humbur. Vendimet e duhura, dhe në kohë të duhur, ishin vendimtare. Me qasjen dhe vizionin e tij, me politikat adekuate publike, ai e largoi apatinë e frikën nga popullata, dhe, zhdavariti mungesën e shpresës. Ai inspiroi njerëzit dhe u ngjalli besimin. Stili i tij ishte ’Respekto njerëzit, diskuto, diskuto, diskuto, e pastaj vendos’.

Ai me ekipin e tij energjik e kompetent vepronin sipas mantrës të formuluar nga M.Theçër e F.Hayek-“Bëje ose vdis”. Kur pas shumë vitesh, e pyetën se si arriti të udhëheqë vendin me aq sukses, përkundër aq shumë vështërsive thuajse të pakalueshme, ai u përgjigj me çiltërsi:

”Kanë thënë që ishte e pamundur – gati sikurse të ecje mbi ujë. E ne, megjithatë, ecëm mbi ujë, sepse thjeshtë, nuk e dinim që ishte e pamundur!”

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Autoritarizmi religjioz si metodë e politikës hegjemoniste

Dr. Gurakuç Kuçi: Autoritarizmi religjioz si metodë e politikës hegjemoniste

Cilat janë kërcënimet reale nga kombinimi i “vertikalizimit të pushtetit” me fenë në doktrinën serbo-ruse …