Ylli Mece

Ylli Mece: KUSH ËSHTË MË I RREZIKSHËM KAPITALIZMI “ I MAJTË”…..APO KAPITALIZMI “I DJATHTË” ?

Mendova kësaj here të intervistoja drejtpërdrejt dy personazhet tanë në Vlorë, Qani Qopekun dhe Sabri Tapën (që lexuesi i njeh si Qopeku… dhe Bikja), por kësaj radhe jashtë lokaleve të shërbimeve sociale. E mendova kështu, që për hir të së vërtetës ata të ishin “esëll”, me qëllim që të mos këputnin nga ato broçkullat e tyre. Në fakt, për të qenë sa më afër realitetit, më duhej t’i merrja disi nën avujt e alkoolit, sepse jo më kot populli e thotë se “çfarë ka barku e nxjerr bardhaku”.

E vërteta është se jo vetëm unë, por edhe shumë si puna ime e dinë fort mirë se kapitalizmin shqiptar tashmë e mbajnë në këmbë dhe e përfaqësojnë dy partitë e mëdha, ndërsa të tjerat janë shtojca apo atavizma pranë bishtit ku qëndron menderja e tyre. Megjithatë, doja të dija edhe mendimin e tyre, edhe pse njëri aderon te PS-ja (Bikja) dhe tjetri te PD-ja (Qopeku).

Do të kisha intervistuar edhe Babalen, por ai, duke qenë se kishte qenë bashkëpunëtor me Salinjanin, ishte hedhur në ilegalitet aq sa edhe ata të shtëpisë së tij nuk e dinin se ku kishte përfunduar.

Gjithsesi, për respekt, duke qenë se partia e Qopekut ishte në opozitë, iu drejtova atij drejtpërdrejt:

— Z. Qopek! Ju, apo më saktë ju bashkë me partinë tuaj, kini tre mandate që rrini në opozitë dhe, duke qenë se partia juaj e mbështeti nismën e R. Alisë për ta kthyer timonin drejt kapitalizmit, madje ishit të parët që rrëmbyet flamurin e antikomunizmit, çfarë mendimi kini për situatën e tanishme dhe pse PD-ja nuk po fiton?

Qopeku — Unë ju falënderoj shumë që më intervistoni, por problemi nuk është te ne poshtë dhe më mirë do ishte të intervistoni Salën, se unë popull jam. E kam dashur dhe e dua PD-në, sepse jam familje e persekutuar…

Unë — Ju i persekutuar?! Si është e mundur që nuk e di këtë fakt?!

Teksa në këtë moment futet Bikja dhe, për të sqaruar rrethanat, duke parë edhe nga Qopeku, thekson:

— Po jo ai i vrarë, jo! Atë dëshmi babai i Qopekut e ka marrë me dokumente fallco. E vërteta është se këta janë shumë fëmijë dhe babai i tij, për t’i ushqyer, kishte ikur natën e kishte hapur një magazinë dhe kishte vjedhur nja dy kv misër në kooperativë. Atë e dënuan me gjobë dhe u bë edhe një mbledhje për të në fshat, por pas viteve ’90 ai kishte deklaruar dikur kryetarit të shoqatës së të përsekutuarve, Kurt Kolës, se qysh aso kohe ai ishte kundër pushtetit të popullit dhe e kishte sabotuar socializmin me ato mundësi që kishte.

— Z. Bike, të lutem lëre të flasë dhe t’i japë mendimet vetë Qopeku, sepse do të vijë edhe radha juaj… Pra, z. Qopek, çfarë mendimi kini lidhur me pyetjen pak më parë?

Qopeku — Po kush e tha se s’kemi fituar? Po pse, ore, kot e hodhi Sala parullën se “me ne fitojnë të gjithë”? E vërteta është se fituam jo vetëm pushtetin, por edhe paranë, sepse paraja është pushtet, pa le se ç’thonë! I plasi Metës apo Salës, madje edhe Ramës së Bikes, pse nuk kanë pushtet institucional! Ata de facto janë në pushtet. E pe si e nxorën Salën ata të komisionit të fajdeve, nga vetë ai Arapi i Vlorës?! E nxorën të pastër, se ai vetë nuk kishte vjedhur, dhe kur ata të komisionit e dëgjuan drejtpërdrejt nga një video që e kishte transmetuar edhe TV-ja se “paratë e shqiptarëve janë të pastra”, pra si mund të hetohet një kryeministër i cili më mirë se ne të gjithë e dinte se paratë ishin të pastra?! Këtë gjë e deklaron një trim me shpirt të pastër, siç është Berisha. Ja, kur e dëgjuan këtë, një pjesë e atij komisioni kishte dhënë dorëheqjen.

Por sapo erdhi Rama në pushtet, e akuzoi Saliun për vrasje e për afera, por edhe Rama kot ia fuste pordhës… sepse atë Ramën e kishte parë kumbari i tij, i ndjeri Nano, që kishte vjedhur piktura e ikona dhe i shiste diku poshtë lumit Sena, me surrat të palarë dhe thonj të paprerë. Dhe kur këtë gjë Nanua ia tha drejtpërdrejt në TV, mua menjëherë më kujtua Noli me poezinë “Anës lumenjve!”. Me këtë rast bëra edhe një përshtatje të tillë:

Anës Senës i palarë,
me piktura dhe ikona,
dhe me thonjtë e paprerë…
Rrofsh, or Ramë, sa t…et tona.

Ja pra pse e nxorën Salën: e nxorën se nuk ua mbajti, se po të dënonin Saliun, nesër do ta kishte radhën Rama. Dhe Rama është më kryekusar se Saliu, sepse ai të vjedh me parulla të majta, ose më saktë, me dorë të majtë. Deshëm kapitalizëm, deshëm! Tani ç’kërkojnë më?! Shiko, unë nuk ia them për filozofi, po çfarë rëndësie ka nëse vjedh me dorë të majtë apo të djathtë?! Ne të djathtët jemi më të ashpër dhe kjo është dora e babës që të godet fort… ama ta dish mirë se ai që të godet, ai të do. Po pse, ore, me “tri-li-li e tra-la-la” do shkohet në demokraci? Si e mendon ti që me ato puthjet e përqafimet e Ramës do shkohet në kapitalizëm?!

E majta, më së shumti, është për të përkëdhelur te krevati apo për të të përkundur te djepi, se nuk desha të them atë tjetrën që me të majtën në fshat fshijmë tualetin… Më së shumti, me ato mund të shkosh deri në një bordello e jo më tepër. Është i ashpër, vëlla… i ashpër kapitalizmi; nuk ka dërci-vërci me të. O socializëm të Enverit, o kapitalizëm të Salës!
(e deklaron Qopeku dhe merr një pamje filozofi)

Teksa Bikja, pa pritur aspak që unë t’i drejtohesha, i irrituar nga krahasimet e Qopekut për të majtën, u fut drejtpërdrejt në temë:

— Dëgjo ti, Qopek, dhe mbaje mend se sa të jetë Rama në fuqi, kaq ta bëni dhëmbin. Madje ti ke bërë edhe zbor, kështu që merr dylbitë, ktheji ato së prapthi dhe vetëm atëherë do ta merrni ju pushtetin. Po pse, ore, me Saliun, atë plakun gungaç që i ka ardhur ngordhja, do ndërtoni ju kapitalizmin? Dhe me Mulen, që e ka mendjen për sherre e shamata e te dajaku?! E pe se ç’bëtë pardje në Kuvend?! Mendjen e kini te huri dhe litari dhe pastaj dilni më vend e pa vend në çdo TV duke akuzuar Enverin për diktaturë?!

E pse, si nuk ua ngriti Rama pensionet atyre veteranëve të punës e të luftës? Po do thuash ti se ata i ngritën pagat e tyre të parat me nga tre e katër milionë. Po mirë, ore, e bëjnë, sepse po të kenë paga të vogla, domosdo që do ketë korrupsion. Dhe ajo Ballukja që akuzohet për korrupsion, mbaje mend se s’ka për t’i dalë gjë, por edhe po i doli, hallall ta ketë! Po pse, ore, vetëm ju të djathtët dini të vidhni?!

Ja ti, i nderuar (më drejtohet mua), ke vjedhur ndonjëherë fiq apo rrush? Pa më thuaj mua: cili kusar, në momentin që vjedh, mendon se me cilën dorë të vjedhë… me të majtën apo me të djathtën? Asnjëri nuk mendon dorën, por shumën se sa merr në duar. Kështu është puna edhe me kapitalizmin… e hë, tani ma thuaj, kam të drejtë apo jo?

Unë — Bike!! Jam unë ai që e bëj intervistën, apo jeni ju që po më merrni mua në intervistë?

Kot e pata menduar që t’i intervistoja të papirë! Ata, si duket, ishin bërë të dy tapë, ngaqë kishin marrë shtesën e pensioneve të pleqve dhe ia kishin shtruar me plenca e kukureca keci qysh para intervistës… dhe këtë e kuptova vetëm në fund, ngaqë të dy ende i kishin buzët jeshile nga lëngu i zorrëve.

Të kishin thënë vallë të vërtetën, apo flisnin vetëm nën efektet e rakisë?!

Kontrolloni gjithashtu

Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë me prani fizike në Kosovë

Selajdin Abdullahu: GAFAT E NËNTORIT – TULIPANËT, DHE HAGA

Nëntori, muaji i flamurit, i kryengritjeve dhe i gjakut të shenjtë, duhej të ishte periudha …