– Të këndosh sot duhet shumë punë dhe kërkesë e lartë ndryshe publiku të anashkalon.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Dashuri Hysaj, Neta Doko dhe Dule Malindi janë tre këngëtarët më në zë të Skraparit të dekadave të fundit. Zëri i tyre, tekstet e veçanta kanë bërë që emri I tyre të njihet edhe jashtë kufijve të Skraparit. Këngët e tyre popullore dhe polifonike kanë një timbër të veçantë por edhe tekste që mbajnë aromë Shqipërie por edhe Skrapari. Ata të tre ecin në gjurmët e legjendarit Demir Zyko. Ja si shprehen ata për krijimet e tyre të fundit….
Flet këngëtarja e mirënjohur nga Skrapari Dashuri Hysaj:
Dashurie Hysaj është një ndër këngëtaret më të vlerësuara në jug, por sidomos në Skrapar nga ku ka origjinën. Ajo është një këngëtare serioze, korrekte, por shpërthyese në skenë. Në jetë është shumë e shoqërueshme natyrë sociale dhe e lidhur ngushtë me Shoqatën Tomorri. Ajo ka mbi 35 vite karrierë ku ka marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit.
– Dashuria thuajse ka vite që në çdo fund viti realizon nga një këngë apo klip të ri. Po këtë vit çfarë kënge të re ka sjellë Dashuria për artdashësit shqiptar kryesisht ata të Skraparit?
– Kënga e fundit titullohet “ Të keqen moj nëna ime”. Pra për nënën krijesën më të dashur në botë. E kush nuk i ka kënduar nënës? E kush i ka kënduar dhe kënga nuk është pëlqyer? “ Të keqen moj nëna ime”…teksti : Pëllumb Alija & Rremo Torra. Muzika & Orkestrimi: Mario Bregu. Klarinetë : Alban Berati. Make up : Rozana Çepele.
-Para disa kohësh kemi bërë një intervistë. Gjatë kësaj periudhe sa këngë të reja ka realizuar Dashuria “
Kam realizuar tri këngë popullore. Tri këngë që janë të ndryshme por që kanë brenda aromë Shqipërie. Këto këngë janë një dëshirë e publikut por edhe një përgjegjësi para publikut. Të këndosh sot duhet shumë, shumë punë dhe kërkesë e lartë ndryshe publiku të anashkalon.
-Ju keni disa këngë për Skraparin, mund të na përcillni disa?
– Këngë për Skraparin janë “.Djemtë e Skraparit”, “Trëndafil i bukur.”, “Dasmat e Skraparit” “Kapërrolle”. Kam dhe kolazhe me këngë Skrapari, etj…Këto janë disa nga këngët që kanë lënë gjurmë.
Të ndalemi tek polifonia ku jugu shquhet dhe kjo këngë është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Si do ta cilësonit polifoninë e Skraparit në veçanti dhe atë të jugur në tërësi?
–
– Polifonia është hyjnore. Bazohet në zërat e bukur të këngëtarëve. Pra këndohet pa instrumente dhe duket se e shoqërojë disa instrumente. Polifonia e Skraparit është shumë e bukur. Skrapari ka shumë talente dhe një folklor të pasur, që unë sado të bëj këngë të muzikuara prapë nuk largohem nga këngët polifonike të Skraparit.
– Të ndalemi në trevën tuaj. Këngë specifike popullore. Ju gjatë karrierës suaj artistike keni sjellë vetëm këngë të vjetra popullore, apo dhe krijimtari të re? Ku bazohen këngët e reja?
-Sigurisht në fillimet e mia i kam sjellë para publikut këngë të vjetra popullore që i kam muzikuar, por dhe këngë të reja dhe tekstet i ka shkruar poeti i njohur Arben Duka dhe shumë tekstshkrues të tjerë. Në repertorin tim kam shumë këngë të vjetra, sepse më pëlqejnë tekstet e këngëve të vjetra, që janë shumë të bukura, janë tekste domethënëse dhe më kanë bërë të ndjehem shumë mirë. Folklori Skraparit është shumë i pasur. Të vjetrit ruajnë thesare në kujtimet e tyre që shumë janë sjellë në këngë. Nuk ka si këngët e popullit janë plot dritë.
– Ju jeni një nga anëtaret më aktive të Shoqatës “Tomorri”. E ndjen si detyrim shpirtëror ndihmesën tuaj në shoqatë?
Si anëtare e shoqatës “Tomorri” dëshiroj të mbajmë lart emrin e kësaj shoqate me punë dhe aktivitete me në krye Kryetarin tonë të dashur Engjell Musain. Dashurinë për shoqatën e kam pasion dhe të trashëguar nga familja!
Flet këngëtarja NETA DOKO
Neta është një këngëtare virtuoze popullore por edhe e këngës polifonike. Këngëtarja popullore nga Skrapari Neta Doko e ka nisur rrugëtimin muzikor në moshën 10 vjeç, kur u ngjit për here të pare në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës me një këngë polifonike. Gjatë karrierës së saj artistike ajo përveç këngëve polifonike ka interpretuar dhe këngë të muzikuara, për të qenë më pranë kërkesave të kohës dhe publikut. Ajo ka në repertorin e saj shumë këngë por që veçon : “ Dëm e bëre bukurinë”, “O ju bija të një nëne”, “Vajzë shqiptare”, “Mbushje ujë në ato burime”
– Ju keni vite në skenë, dhe një repertor shumë të pasur. Cili është klipi juaj i fundit apo kënga juaj e fundit në prag të fundvitit?
– Klipi im i fundit është “Kolazh Jugu”, pra disa nga këngët më të bukura popullore të jugut të përshtatura për zërin tim. Sigurisht në këtë kolazh ka përshtatje në muzikë pasi edhe zëri im ka karakteristikat e tij. Kryesisht ky kolazh ka motive popullore kryesisht nga krahina juglindore, e Toskërisë.
– Pra ky kolazh është përmirësuar duke ju përshtatur zërit tuaj. Kush është orkestrues?
– Ky kolazh është orkestruar nga muzikanti i talentuar Festim Kovaçi. Njëkohësisht me këtë kolazh kam realizuar edhe një këngë polifonike të zonës së Skraparit.
-Pra ky fundviti mbyllet me këto dy realizime?
Jo! Pikërisht në ditët e fundit të këtij viti kam në realizim përfundimtar edhe një kolazh tjetër me motive të Skraparit. Ky kolazh ka përbrenda ato këngë që këndon gjithë zona e Skraparit në ditë të shënuara. Besoj se ky kolazh do të jetë një dhuratë e bukur për popullin tim ku jam pjesë. Jam munduar të zgjedh ato këngë specifike që kanë sjell në vite gëzim, bashkim për trevën tonë atdhedashëse.
-Ju keni shumë këngë në repertorin tuaj. Me cilët autor tekstesh keni punuar apo me cilët poetë?
Unë kam bashkëpunuar me poetin Arben duka i cili tashmë është në përjetësi por edhe me poetin Ymer Nurka. Ndërsa tekstet e tjera janë me motive popullore pra burimore nga këngët e popullit.
-Por të dalë një këngë e bukur sigurisht duhet dhe një kompozitor i mirë. Me cilët kompozitor keni bashkëpunuar?
-Unë në rrugëtimin tim kam bashkëpunuar me kompozitorët Genci Malaj, Edlir Begolli, Agim Xhemali dhe Festim Kovaçi. Të tre janë të talentuar dhe kanë të veçantat e tyre. Të gjitha këngët kanë pasur sukses.
-Cilat janë këngët të cilat ju mund ti quani hite?
Në të vërtetë një këngëtar këngët i ka si fëmija. Nuk i ndan. Por duke pasur parasysh këngët që kërkojnë më shumë fansat në koncerte mund të them se janë këto këngë: “ Dëm e bëre bukurinë”, “O ju bija të një nëne”, “Vajzë shqiptare”, “Mbushje ujë në ato burime” ku kjo e fundit është duet me këngëtaren Luljeta Zaimi.
-Keni ndonjë peng për realizimin e ndonjë kënge të veçantë?
Mund të them se nuk kam peng deri tani pasi kur mendoj një këngë dhe më hyn si peng mundohem ta realizoj dhe deri tani kam realizuar çdo këngë që kam dashur. Unë e kam nisur këngën që 10 vjeç dhe çdo vit mundohem të sjell tek publiku atë këngë që mendoj se më mungon.
***
-Flet këngëtari i mirënjohur nga Skrapari, Dule Malindi:
Një artist korrekt, kërkues dhe shumë njerëzor. Fillesat e tij si këngëtar përkojnë tek Shtëpia e Pionierit Skrapar, kur ishte rreth 12-13 vjeç, Këngët e para ishin ato patriotike, polifonike. Kur mbushi 20 vjeç, shkoi në një kurs për klarinetë dhe kështu filloi aktiviteti i tij artistik në zonën e Skraparit. Ndërsa fillimi i këngës solo përkon me vitin 2002-shin. Albumin e parë e ka bërë me 10 këngë të vjetra të Skraparit, në vitin 2003. Aktualisht ka 5 albume me nga 10 këngë të cilat thuajse janë përpirë nga fansat e tij të cilët e vlerësojnë shumë.
– Dulja thuajse në çdo fund viti realizon nga një këngë. Po këtë vit çfarë kënge të re ka sjellë Mjeshtri i Madh për artdashësit shqiptar kryesisht ata të Skraparit?
Sigurisht që këngëtari gjithmonë është në kërkim të diçkaje të re. Kënga është pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Pa këngë nuk mund të jetoj. Dhe nëse nuk sjell diçka të re në vijimësi për të gjithë fansat e tu duket se rruga e këngës zbehet. Ndaj edhe unë gjithmonë mendoj si të krijoj një këngë të re. Kënga ime e re titullohet
– FEJA JONË ËSHTË SHQIPTARIA
Po vijnë miq nga trojet tona,/ Hapen porta e dritare,/ Keto pragje aq të ngrohta/ Janë veç trojet shqiptare…. Sup më sup ç’i mbledh kjo vatër/ Zjarr e këngë ç’u ndez konaku,/ Myslimanë e të krishterë/ Si vëllezër të një gjaku…/ Këmbëkryq ky bektashiu/ Flet e qesh me muhabete,/ Veç me dashuri dhe paqe,/ Le t’i shkojmë kësaj jete…. Që nga jugu e veriu/ Udhët tona qofshin plot,/ Se të gjithë na lidh një besë/ Dhe te gjithë kemi një Zot.
Refren:
Mbledhur shqipet në një sofër/ Ku hedh vallen harmonia,/ E ka thënë dhe Pashko Vasa/
Feja jonë është Shqiptaria.
– Sigurisht që një këngë ka autor teksti, ka kompozitor ka dhe këngëtar. Kush janë dy të parët?
– Kjo këngë është një këngë patriotike. Tashmë çdo këngëtar e di mirë që kur shkojmë dhe këndojmë mes emigrantëve ata me patjetër kërkojnë këngë patriotike. Kjo këngë ka për autor teksti Bledar Koçin. Muzika Mond Zhulali. Kjo këngë është realizuar në bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur Hysni Alushi. Kjo këngë më mirë të themi i dedikohet harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe u realizua me rastin e festave.
– Tek kënga Shpirt flori me Evgjeni Culli çfarë mesazhi përcillni?
– Këngë për vlerat morale të Skraparit! Aty ku burrëria është zakon, mikpritja ligj, dhe fjala ka peshën e malit, aty është Skrapari ynë! Çdo varg i kësaj kënge na kujton kush jemi, nga vijmë dhe sa shumë kemi për të qenë krenarë. Se ne nuk jemi thjesht një krahinë jemi një forcë, një emër që nuk shuhet, një emër që i bie fort zemrës: SKRAPAR
– Kur e kini realizuar kripi juaj i parë dhe me ç’ngjarje të jetës suaj përkon?
Këngën e parë klip e kam bërë në 2002, kur jam kthyer. Pas saj fillova albumin e parë, në fillim të vitit 2003, kryesisht me këngë të vjetra të Skraparit.
Sa këngë kishte ky album?
Kishte 10 këngë.
Tekstet e këngëve kush i ka bërë në përgjithësi?
Tekstet e këngëve i kam bërë në fillim me Xhevahir Spahiun, ndërsa shumicën e repertorit të teksteve e kam me Arben Dukën dhe Jorgo Papingjin.. Për muzikën kryesisht kam punuar me Klodian Qafokun Alban Hoxhën dhe me kompozitorë të tjerë.
-Sa albume keni realizuar deri më sot?
Deri më sot kam 4-5 albume me nga 10 këngë. Në YouTube janë 17 këngë të miat.
-Keni marrë pjesë në festivalet e Gjirokastrës?
Në festivalin e Gjirokastrës kam marrë pjesë dy herë, në dy festivalet e fundit.
Në ç’vende keni shkuar për të dhënë koncerte?
Duke filluar që nga Australia e largët, në Amerikë, në Angli, Itali, Gjermani. Emigrantët pëlqejnë më shumë këngën e kurbetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
