Brickos

Ali Asllani, poeti, veprimtari dhe atdhetari i të gjitha kohëve (1884- 1966)

Ali Asllani, poeti, veprimtari dhe atdhetari i të gjitha kohëve (1884- 1966)

Ali Asllani, njëri ndër poetët dhe intelektualët tanë më të njohur u lind më 28 nëntor të vitit 1884 në fshatin Vajzë të Vlorës, ku adhe kreu mësimet e  para, Shkollën e mesme, Gjimnazin e njohur  “Zosimea” e mbaroi  në vitin 1888. Në këtë gjimnaz arsimoheshin shumë shqiptarë, të cilët më vonë iu rreken studimeve në Universitete të ndryshme në Turqi por edhe në vendet e Evropës.

Në fillim ishte përcaktuar të studionte  mjekësinë por ndërroi mendje dhe mësimet e larta i  në Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.

Në vitin 1910, Ali Asllani  u kthye në Stamboll, meqë ishte ndërruar Kabineti qeveritar i cili e kishte përjashtuar. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit të Shqipërisë nga forcat naziste-fashiste, luftë të cilën e kishte përkrahur pa rezervë,  Ali Asllani ishte ndër themeluesit e parë  të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Mori pjesë në  shumë aktivitete kulturore. Poezia e tij u prezantua në gjitha nivelet arsimore, në shkollat fillore dhe të mesme.

Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

 Poezi Për Atdheun

 Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,

Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

 Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

 Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,

ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

 Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,

ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

 Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’

dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,

në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

 Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,

ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,

ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

 E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

 Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

 Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”

Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…

Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

 Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!

Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

 Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

 Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,

dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…

kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

 Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

 Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,

mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,

dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,

kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

 Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

 Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,

ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

 A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’

nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,

ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,

 

 Gëzim Llojdia: Ali Asllani dhe takimi i befasishëm me Mehmet Shehun

Në vendlindje të poetit Ali Asllani

Për të shkuar në fshatin Vajzë të qarkut Vlorë është një rrugë e vetme, që përshkon e ndan mes përmes zemrën ose shpirtin e Labërisë. Kjo rrugë ka si një zanafillë gati të hershme…

Këto janë vende të korijeve të dushqeve. Atje më thonë është xhiruar: ”Këshilltarët”, duke më treguar Buallarin, më tej hapësirë dhe një rezervuar që quhet Hasamat. Në rrugën e një fshati që ka emër femre ose më shkoqur quhet Vajzë. Dhe përse nuk quhet djalë, hajde dhe merre vesh këtë. Këtu flitet se ka lindur Ali Asllani. Një mekam për tre dervishë qëndron me derë të hapur. Një karburant i braktisur dhe qendra e fshatit për ibret. Rruga pothuajse këtu është e bërë copë. Sikur ta ketë ndukur qentë, shprehen vendasit. Automobilat, edhe ata luksozë e kanë të vështirë. Ndërsa një udhë betoni nëpër fshat mbetet komode. Na ftojnë të pimë diçka. Në këto anë rakia është ajo me të cilin qerasen njerëzia apo mysafirë. Rakia nxirret nga rrushtë është e fortë e pastër si qelibari dhe të bie në kokë. Pini, na thotë i zoti i këtij klubi të vogël, është ilaç. Pronari kështu mund ta quajmë ka mustaqe dhe nga njëra këmbë çalon pak. Përtej është busti i Perlat Rexhepit.

2.

Aty ka qenë dhe do të jetë më shprehen banorët. Po ku ka lindur poeti lirik, diplomati i shquar dhe kryetari i bashkisë së Vlorës Ali Asllani. Ja historia e parë për Ali Asllanin, siç ma ka rrëfyer Q. Meminaj

Mehmet Shehu: Ju nuk keni arritur ti bëni dot punët siç i bënte Ali Asllani

Nga një bisedë me Piro Rexhepin, më 30 maj ’98 në fshatin Vajzë, më tha: ”Me Ali Asllanin, nuk kishim lidhje gjaku, por babai im e donte aq shumë, sa që e konsideronte njësoj si vëlla. Kur u nda nga jeta baba im, xha Aliu, ndenji në shtëpinë tonë, plot 40 ditë dhe priti ngushëllimet, si vëllai i tij. Por një ditë, më tha jemi ndodhur shumë ngushtë, sepse na lajmëruan nga lart, që të dilnim jashtë nga shtëpia dhe dhoma ku priteshin ngushëllimet, mbasi në familjen tonë, do të vinte Kryeministri Mehmet Shehu, për të ngushëlluar. Isha N/kryetar i K. Ekzekutiv të Tiranës. Dolëm të gjithë nga dhoma dhe po bisedonim, se kush ishte ai burrë që ti thoshte edhe Ali Asllanit, të dilte nga shtëpia. Nga autoriteti që ai kish, nuk e merrte njeri guximin por më në fund disa miq më detyruan mua që t’ia thosha. Më vinte shumë rëndë, por s’kisha çfarë të bëja. Ju afrova dhe i thashë se duhet të dalin të gjithë nga dhoma, mbasi vjen Kryeministri për ngushëllim,dhe është duke ardhur i thashë. -Po, më tha bëni ashtu siç ju kanë thënë, biles shpejt dhe pa zhurmë, kurse unë vetëm do të qëndroj këtu, të pres ngushëllimet, se më ka vdekur vëllai. Asnjë fjalë nuk kisha mundësi t’i thosha xha Aliut, dola dhe unë jashtë por gjithmonë me merak, sepse nuk u zbatua, një urdhër i rëndësishëm. Megjithatë kur erdhi Kryeministri, kaloi tek ne që ishim radhitur, na përshëndeti me kokë dhe pa bërë zë, u fut në dhomë duke i dhënë dorën ftohtë Xha Aliut. Sa ndenji aty Kryeministri, bisedoi vetëm me Xha Alinë, dhe me asnjë nga ne nuk këmbeu fjalë, e me që i pëlqeu biseda ndenji rreth një orë e gjysmë. E thashë, që kur erdhi i dha dorën ftohtë Xha Aliut, por ama, kur iku, ai e rroku në qafë dhe e shtrëngoi fort. Të them të drejtën, më tregonte ai, na shkriu gjaku, megjithëse dita-ditës prisja të më fliste dhe të më jepte ndonjë masë të rëndë. Mbas disa ditësh Kryeministri foli në raport kryetarët e K. Ekzekutiv, meqë Kryetari i Tiranës, nuk ndodhej aty, në mbledhje shkova unë. Gjithnjë mendoja, se kur të raportoja do të më thotë diçka për atë ditë, por ai nuk ma përmendi fare. Mbasi mbaruam të gjithë filloi të na jepte porosi, se si ne duhet të kontrollojmë dhe të ndjekim zbatimin e detyrave. ”Juve, na tha, nuk kini arritur akoma ti bëni mirë detyrat tuaja ashtu siç i bënte në atë kohë Ali Asllani, kur ishte Kryetar i Bashkisë në qytetin e Vlorës. Kur do të arrini edhe ju që t’i kryeni detyrat ashtu siç i kryente ai?”. Vetëm atëhere më doli frika, dhe kur mbaruam mbledhjen shkova menjëherë në shtëpi dh iu thashë pjesëtarëve të tjerë të familjes, që të mos kenë merak, sepse ajo punë u mbyll mbasi Kryeministri e kish vlerësuar aq shumë atë bisedë me Ali Asllanin, sa që na tha edhe neve të punojmë ashtu si punonte ai”. Pra arti i të drejtuarit, që kish Ali Asllani, u pëlqente të gjithëve. Pavarësisht se M. Shehu, kryeministri i asaj kohe, me shokët e tij, e konsideronin Ali Asllanin intelektual borgjez dhe pa vizion të qartë dhe të mirë, për rendin e ri shoqëror që ata e donin aq shumë,artin e tij të drejtuarit, e pëlqenin dhe ja kishin nevojën”.

3.

Të flasësh për Ali Asllanin, për këtë personalitet të shquar dhe veprën e tij të ndritur, për kontributin që ai ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, e themi me bindje se nuk është shumë e lehtë. Por vepra që ai ka lënë pas, aq e qartë e kuptueshme dhe shumë e dashur për të gjithë, na ka lehtësuar në punën tonë, për të folur diçka nga ajo veprimtari e madhe dhe shumëllojshme, e asaj jete të gjatë, plot brenga, por gjithmonë krenare. Veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë, dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore. Ai dha një kontribut të shquar dhe të pazëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi, la gjurmët dhe shkëlqimin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

4.

Duke ndjekur rrëfimin e nipit të poetit Qëndro Meminaj. “Në çdo vend demokratik të botës, thoshte Ali Asllani, institucionet forcohen nga ana e shtetit, kurse qytetarëve iu bëhet e qartë, se ato duhet të respektohen nga të gjithë. Përveç kësaj, porosiste Kryetari i Bashkisë, nënpunësit duhet ti njohin mirë problemet e tyre, që mbulojnë, dhe që i ndjekin për çdo ditë në mënyrë, që dhe rregullat e ligjet e shtetit, të bëhen shumë të kuptueshme dhe të thjeshta, për tu zbatuar nga qytetarët. Dhe këtë,ai e bënte vet i pari dhe në mënyrë të përsosur. Ja si e tregonte babai im Shuhaip Meminaj, djali i dajos së tij nga fshati Tre vëllazër, i cili për disa vjet, ka punuar dhe është kujdesur për lulishten kryesore të Vlorës. Edhe ne, që e kishim nip biles edhe kushërinjtë tanë dhe bashkëfshatarë të tjerë nga fshati ynë, që Ali Efendiu i njihte dhe iu thërriste dajo, kur venin në Vlorë, nuk shkonim për ta takuar në Bashki, sa herë që të donin. Sepse, ai sa i dashur që ishte me ne, kur vinte në shtëpitë tona, apo edhe kur shkonim ne në shtëpinë e tij,aq serioz ishte në zyrë. Prandaj shumë herë, ose e prisnim sa dilte nga zyra, ose shkonim në shtëpi për ta takuar. Gjithmonë përpara Bashkisë, ai kishte urdhëruar që të punonte një llustraxhi, kurse brenda në korridor, të vendosej një garderobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë, duhet ti fshinte këpucët dhe ti lyente me bojë, aq sa ato mbanin. Nqs qytetari nuk kish mundësi të paguante llustraxhinë, atë e paguante Bashkia nga fondi i saj, dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë, e shkonte për të takuar Kryetarin, Ali Efendinë. Dalë nga dalë, qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë, sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte, jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare, që atëhere ishte shumë e nevojshme,por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët,se në ato zyra të shtetit,që iu zgjidheshin problemet dhe hallet,që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta, të shkoje i rregulltë,ti doje e respektoje ata nënpunës e pushtetar,sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që atëherë ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës, të funksionin normalisht, e të ecnin në rrugë të mbarë, duke i zgjidhur më së miri,hallet e problemet që kishin në atë kohë,Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës por edhe banorët të fshatarëve të rrethit,që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin, Kryetarin e tyre. Edhe ai i priste me kënaqësi e në bazë të kompetencave dhe mundësive që kishte, iu zgjidhte ankesat që kishin dhe nuk e mbyllte zyrën, pa ikur i kënaqur edhe qytetari i fundit. Ai i realizonte këto detyra të rëndësishme, jo vetëm me punën e tij e tij të ndershme, por edhe me punën që bënin vartësit e tij, që punonin në zyrat e Bashkisë e kudo në qytet, sepse në to ai kishte zgjedhur dhe vendosur intelektualët më të mirë, ekonomistë, inxhinierë dhe teknik që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit”.

5.

Pavarësisht nga stafi që Ali Asllani kishte në Bashki, të cilët ishin me nivel të lartë dhe me arsimin përkatës, sipas funksionit dhe detyrave që kryenin, ai nuk mjaftohej me aq. Gjithmonë kur mbaronte orari zyrtar, Kryetari i Bashkisë nuk shkonte menjëherë në shtëpi, por kalonte andej nga ishin dhënë detyrat në mëngjes, dhe kontrollonte, se sa ishin zbatuar ato, dhe në mënyrë të veçantë shërbimet urbane. Siç ishin kanalet e ujërave të bardha e të zeza, që ndërtoheshin për herë të parë apo rikonstruktoheshin, deri ku kishin arritur ndërtimet, në ndonjë rrugë,objekt në ujë të pijshëm, trotuar, lulishte, etj. Në mëngjes kur mblidhte nënpunësit, ai nuk priste që ata të raportonin, se si ishin kryer detyrat që kishin patur ditën e parë, por jepte direkt detyrat e reja, mbasi ai i njihte vet, volumin dhe cilësinë e punimeve, duke iu bërë edhe vërejtjet për punën që nuk ishte bërë mirë. Kjo i vinte në pozita punonjësit që punonin me të në Bashki e gjetkë, prandaj edhe ata filluan të punonin dhe të vepronin ashtu si Kryetari i Bashkisë. Kështu që punët në qytetin e Vlorës,përmirësoheshin dhe nga dita në ditë, bëheshin më mirë.

6.

Ato vite kur Ali Asllani ishte Kryetar Bashkie, populli i Vlorës si dhe i gjithë populli shqiptar, kishte shumë nevojë për të siguruar drithërat e bukës dhe sidomos, në vitet që kishte thatësirë të madhe. Por Kryetari i Bashkisë i merrte masat me kohë dhe ndonjëherë e sillte drithin nga jashtë dhe e mbyllte nëpër magazina. Pastaj në bazë të kërkesave që kishte qyteti por edhe nga fshatrat, mbështetur në sasinë që grumbullonte, bënte planin e shpërndarjes me grafik të rregullt për çdo periudhë kohore, duke u bërë furnizimi i tyre në mënyrë normale. Ja si e ka treguar Izet Dauti nga fshati Kërkovë: ”Sipas datës që na ishte caktuar nga Bashkia, shkuam në magazinat e Portit, që të merrnin drithin që na ishte planifikuar për fshatin tonë. Por atje rojet italiane të portit, na nxorrën shumë pengesa, mbasi ata ngrinin çmimin e kontrabandës, për të përfituar për veten e tyre, në rrugë të padrejtë dhe në kurrizin tonë. Katër–pesë burra nga fshati ynë shkuam në bashki, ku na priti menjëherë Ali Efendiu, të cilin e informuan për çfarë na kishte ndodhur. Ai u nervozua shumë sepse i erdhi keq për neve. Me të shpejt shkruajti një letër dhe u foli aty tre xhandarëve të Bashkisë, ku njëri prej tyre ishte italian. Do të shkoni tek depot në port dhe do të filloni menjëherë nga ndarja e drithit, se nuk ka xhandar nga Vlora apo të huaj, që të bëjnë dallavere dhe të pengojnë zbatimin e këtij urdhri. Kush të dojë le ta provojë, sepse i shkurtojmë nga këmbët. Bashkë me ta do të shkoni edhe ju-i tha italianit dhe mbas një ore jam edhe unë atje. Me tu dorëzuar letra, u hapën menjëherë depot për ne dhe për disa fshatra të tjerë që kishin rradhën për furnizim. Ndarja e drithit u bë ashtu siç porositi Ali Efendiu, sepse në atë mënyrë nuk kishte asnjë kundërshtim nga ana jonë. Ai vetë kishte ardhur më përpara seç na tha neve, por në atë kohë që ne e pamë, Ali Efendiu kish mbledhur xhandarët dhe po u jepte porosi: ”Çdo njeri prej jush u thoshte, do të përcjell fshatarët e një fshati sa të dalin nga qyteti, për të mos patur probleme e konfuzion gjatë rrugës”. Por Ali Asllani zgjidhte edhe probleme të tjera për fshatarësinë, mbasi në atë kohë, ka qenë edhe Kryetar i Katundisë për rrethin e Vlorës. Njerëzit e mi nga fshati Trevëllazër, na kanë treguar për një konflikt që kanë patur 4-5 familje nga ky fshat me disa familje të fshatit Kaninë, të cilat i kishin në pronësi tokat e fshatit Beshishtë që ishte kufi me fshatin tonë. Bëhej fjalë për disa sipërfaqe toke të vogla pyll, kullotë që ishin vazhdim i kullotave të mëdha e që njiheshin prej kohësh si musha, pronë e tërë fshatit. Por për këtë problem, kishte dëgjuar edhe Ali Efendiu i cili i kishte dërguar Kryeplakut të fshatit, që të mos bëhej asnjë lëvizje nga fshatarët, sepse për zgjidhjen e tij, do të vinte vet në fshat dhe kishte përcaktuar edhe datën e orën. Me ta ardhur në qendër të fshatit, Ali Efendiu u përqafua me të gjithë, e menjëherë e mori fjalën: ”Ato copëra kullotash që bëhet fjalë për tu zgjidhur nuk kanë ndonjë vlerë të madhe tha ai, sepse ato janë në terrene të thyer dhe nga to nuk kini asnjë përfitim. Familjet do të kenë gjithmonë probleme se i kanë edhe larg nga fshati. Dhe meqë ato janë në vazhdim të kullotave të përbashkëta të fshatit, le ti bashkëngjiten asaj dhe atje të vendosim vetëm një kufi, që ndan fshatin Trevëllazër me fshatin Beshisht. Ato do ta respektojnë atë kufi dhe nuk do të ketë më ngatërresa, sepse ai është kufiri i një fshati. Të gjithë ato familje që kishin pjesë në atë konflikt, u përgjigjën në një zë: ”Të bëhet ashtu siç tha Ali Efendiu”. Pastaj drejtuesi i mbledhjes shprehu dëshirën që Ali Efendiu të vazhdonte të fliste edhe për problemet e tjera, sepse ata ishin mësuar me të dhe kishin kënaqësi të madhe ta dëgjonin. Kryeplaku i tha do të na plotësosh një kërkesë:të qëndrosh për drekë, se na kishte marr malli…Është shumë e drejtë, tha Ali Efendiu, që të flasë dhe për problemet e tjera të qëndroj edhe për drekë, por sot do të përfundojmë me kaq, se unë bashkë me përfaqësuesit tuaj, do të shkojmë atje në atë vend ku është konflikti. Atje janë edhe kaniniotët se i kam lajmëruar unë që të vijnë. Që aty bashkë me Ali Efendinë shkuan në vend, vendosën kufirin të dy palët dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit në prezencë të tij. Qysh atëherë e deri mbas luftës, nuk pati asnjë konflikt ndërmjet dy fshatrave, është për tu theksuar se pas vitit ’91 këto familje nuk i bënë dokumentat e pronësisë, për ato parcela që bëhej fjalë, pasi ato i qenë bashkangjitur kullotave të përbashkëta të fshatit. Kjo i tregon qartë, jo vetëm, se si i zgjidhte ai hallet e qytetarëve, por edhe drejtësinë e vendimeve që merrte e zbatonte Ali Asllani dhe nga na tjetër duket qartë besimi dhe respekti që kishin qytetarët për të e për fjalën e tij.

7.

Ka një të fshehtë ndoshta të panjohur, kohën e punës së Ali Aslanit dhe përqendrimin e tij kundër këtij “kanceri”. Qëndro Meminaj ka zhbiruar duke u përqendruar më tepër tek luftimi që kërkon ndërgjegje të pastër si qelibari siç ishte shpirti i poetit pushtetar. Kemi shqyrtuar më lartë, luftën që bënte ai në portin e Vlorës për kontrabandën që bëhej nga italianët me çmimin e drithërave që importoheshin. Por Ali Asllani ishte i papajtueshëm me këto fenomene dhe në të gjitha drejtimet, u bënte luftë të pamëshirshme. Në marrëdhëniet që ndërtonte ai me nënpunësit e Bashkisë, të institucioneve të tjera të qytetit, të dikastereve qeveritare, me popullin e Vlorës dhe të krahinave, ai ishte tepër korrekt dhe i ndershëm dhe këtë transparencë e kërkonte vazhdimisht edhe nga vartësit e tij. Projektin për merkaton dhe sahatin e qytetit, tregon Dr. Prof B. Gaçe, Ali Asllani e bëri vet, por fonde për të mbuluar shpenzimet për ndërtimin e tyre, Bashkia nuk kish. Ali Asllani, organizoi një mbledhje në Bashki dhe në të ftoi dhe intelektual dhe qytetar të familjeve të pasura të qytetit, të disa fshatrave përreth. Projekti për kullën e Sahatit dhe merkaton nuk do të zbatohet, u tha ai, mbasi nuk kemi të ardhura për të përballuar shpenzimet e ndërtimit. Por të gjithë pjesëtarët që ishin në atë mbledhje, iu përgjigjën pozitivisht, duke dhënë nga buxheti i tyre familjar, shuma të konsiderueshme. Disa familje të fshatrave që nuk iu ndodheshin të ardhura financiare, dhanë bagëti të ndryshme të cilat u konvertuan në bazë të vlerës, që kishin. Banka e Vlorës, me porosi të Ali Asllanit, kishte përgatitur një dokument të posaçëm, vetëm për atë rast dhe që mbahej në tre kopje, për secilin dhurues, një Banka, një Bashkia dhe një dhuruesi. Emrat e dhuruesve u hodhën menjëherë në Librin e Nderit të Bashkisë, dhe lista me emrat e tyre e gjestin patriotik, u afishuan në shumë vende të dukshme të qytetit, bashkë me falenderimet që u bënte Bashkia. Në inaugurimin e tyre përpara popullit të Vlorës, Ali Asllani, jo vetëm i falënderoi ato familje përsëri, që i dhanë qytetit të tyre këto vepra të bukura por edhe në mënyrë analitike, raportoi dhe shpenzimet që ishin bërë zë për zë, dhe në tërësi për objektin. Këto veprime i bënte Kryetari i Bashkisë, jo vetëm të tregonte transparencë për veten e tij, por tu mësonte edhe vartësve se si të punonin, tu tregonte dhuruesve dhe tërë popullit të Vlorës, se si administroheshin dhe ku shpenzoheshin ato vlera monetare të tyre. Kështu e luftonte korrupsionin dhe kontrabandën në administratë, Ali Asllani që si fenomene të rrezikshme ishin njohur në vende të ndryshme të botës. Këtë rrezik që i kanosej vendit nga këto fenomene negative, dhe që ishin reale gjatë Luftës së II botërore, i ka patur mirë parasysh Ali Asllani, kur shkruajti poemën “Hakërrim”. Në atë poemë, ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elementëve të pandershëm e të molepsur, që për hir të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptarë. Prandaj ai do të shkruante:

 “Hani –pini e rrëmbeni, mbushni xhepe-mbushni arka…

Të pabrekë-ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…

Hani -pini e rrëmbeni, është koha e çakenjëve,

Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…

Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,

Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…

Dhe për një kërkoni-pesë, por më mirë njëzetë e pesë

Le të rrojë batakçiu, dhe i miri le të vdes….

8.

Një rrugëtim nëpër gjithë botën gjer tek “molla e kuqe” siç e quan poeti e përshkruan Q. Meminaj në rrëfimin e tij.

Është e qartë për të gjithë, se karrigia ku ishte ulur Ali Asllani dhe zyra ku ai ka punuar dikur, qoftë si Kryetar Bashkie, Nënprefekt, Prefekt, Kryesekretar në Qeverinë e I. Qemalit, e S. Delvinës e ka treguar më së miri se po të punosh me ndërgjegje të lartë, këto fenomene negative, nuk ngrenë kokë. Ali Asllani e dinte dhe e shihte vet vendin e tij që ishte më pak i zhvilluar se shumë vende të tjera të Europës, por ai nuk hoqi asnjëherë shpresat, se Shqipëria, një ditë do të bëhej, ashtu siç i përkiste të kaluarës së saj të ndritur. Dhe për këtë punoi dhe luftoi deri në vdekje. Ai nuk u largua nga Vlora dhe Shqipëria, përveç kohës në shkollë dhe punës si diplomat. U përball me të gjitha vështirësitë që i dolën përpara, me persekucionin dhe varfërinë në familje, me dhimbjen e madhe për fëmijët e tij, dhe që të gjitha i përballoi, vetëm e vetëm, se donte shumë Vlorën dhe Shqipërinë. Shprehje më të bukur se në poemën e tij për Vlorën nuk besoj se gjendet:

 -Gjesdisa Europën, gjesdisa Azinë

-Gjer tek molla e kuqe, vajta gjer në Kinë

-E me re te bardha, dhash edhe mora,

-Hazinera gjeja, kur më hante dora,

-E me re të bardha, mora dhe dhashë

-Porsi Vlorën time, një qytet nuk pash…

Kontrolloni gjithashtu

Dervish Shaqa (1912 – 1985) këngëtari më i përkushtuar i këngës rapsodike shqiptare

Mr. Kadri Rexha: DERVISH SHAQA ( 4.5.1919 – 13.4.1985)

Dervish Shaqa lindi më 4 maj të vitit 1910 në Llukë të Epërme të Komunës …