MIT
Airport Adem Jashari
mbpzhr 2018
kek
Fillimi / Personalitete / Bajo Topulli ( 1868-1930) me pushkë e penë për çlirimin, bashkimin dhe ndërtimin e Shqipërisë
Bajo Topulli

Bajo Topulli ( 1868-1930) me pushkë e penë për çlirimin, bashkimin dhe ndërtimin e Shqipërisë

Bajo Topulli u lind në Gjirokastër në vitin 1868, ku edhe kreu mësimet fillestare. Ishte vëllai i madh i atdhetarit, Çerçiz Topulli.

Në moshën 11-vjeçare Bajua i ri  niset për të studiuar në Stamboll. Atje do të brumosej me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri: Samiut dhe Naimit, por edhe të Jani Vretos e atdhetarëve të tjerë shqiptarë të kohës. Sipas këshillave të tyre ai hidhet në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe, edhe pse nuk ishte e thjeshtë, duke qenë se ndodhej mes dy zjarresh, atij turk e atij grek. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të Bajos në Manastir solli ngritjen e “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhi rreth vetes patriotë shqiptarë. Në nyjën (nenin) e parë të Kanonizmës së komitetit thuhej se “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”. Disa muaj më pas do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Të dhënat janë të pakta për aktivitetin e Bajo Topullit pas shpalljes së Pavarësisë. Mësohet se për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Thuhet se shërbeu si vali e prefekt. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër. Gjirokastritët shënuan kandidaturën e tij si kryetar bashkie, edhe pse Bajo, tashmë i sëmurë nuk e dëshironte një gjë të tillë. Me gjithë fushatën e shkurtër, Bajo Topulli zgjidhet kryetar Bashkie, të cilën e drejtoi për tri vjet. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash. E nisi që me pritjen e popullit në zyrat e bashkisë, pastërtia e qytetit, tregjeve, kontrolli ushqimor, ndriçimi, marrja nën kontroll e rendit publik, përkrahja e familjeve të varfëra, caktimi i ndihmave sociale, ngritja e shkollave, regjistrimi i të gjitha fëmijëve, heqja e ferexheve tek gratë, shpallja zyrtarisht e së dielës ditë pushimi, etj. Gjithashtu ai u bë nismëtar i ngritjes të së parës shoqëri aksionare tregtare në Shqipëri, e cila u quajt “Dele”, me sekretar të riun Hasan Dosti.

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra. Sikundër thotë i madhi Leonardo da Vinçi: “Sikur njeriu gëzon muzgun e mbrëmjes pas një dite me punë plot, ashtu dhe vdekja është lumturi në fundin e jetës pas një jete të përdorur mirë”, ashtu edhe ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”. Kështu do të shprehej për Bajo Topullin, Eqerem Çabej në fjalën e lamtumirës me rastin e varrimit të atdhetarit, luftëtarit e veprimtarit, Bajo Topulli.  (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina

Hasan Prishtina (1873-1933), ideolog i çlirimit dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, intelektual e atdhetar…

Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra ...