Brickos

Murtezan Merxhan Etemi (29.7.1962 – 23.7.2001)

Murtezan Merxhan Etemi (29.7.1962 – 23.7.2001)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trojet shqiptare të Iliridës filloi në pranverë të vitit 2001 dhe u intensifikua sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, të 13 shkurtit të vitit 2001. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shumë luftëtarë, pjesëtarë të UÇPMB-së, të pakënaqur me këtë akt, me armatimin e tyre depërtuan në Likovë, Kumanovë dhe gjithandej në trojet e Iliridës.
Komunikata e parë publike e UÇK-së në Iliridë është e datës 1 maj të vitit 2010, e cila është firmosur nga Arben Selimi. Në këtë komunikatë thuhej: “Njoftohet opinioni mbarë shqiptarë në IRJM se me datë 28.04.10. në vendin e quajtur Studenë, në Karadakun e Shkupit, ku dhe ndodhej një pikë e furnizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtarët tanë hasën në një pritë nga forcat e armatosura sllavo-maqedonase. Epilogu i këtij aksioni ka qenë një i vrarë nga pala armike si dhe një i plagosur lehtë nga ushtarët e njësitit për mbështetje logjistike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”. Më tej thuhet: “ia bëjmë me dije gjithë opinionit shqiptar se Ushtria Çlirimtare Kombëtare vazhdon aktivitetin në hapësirën shqiptare, në Maqedoni”.
Gjatë luftës disamujore, në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë 97 dëshmorë dhe 43 martirë. Në radhën e dëshmorëve të rënë në këto fronte si pjesëtarë të UÇK-së, pesë dëshmorë janë nga trevat e Shqipërisë politike, pesëmbëdhjetë nga Kosova, kurse të tjerët nga trevat e Kumanovës, Shkupit, Tetovës e Gostivarit.
Fshati Sllatinë i rrethit të Tetovës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ia ka dhënë dy dëshmorë: Murtezan Hetemin dhe Burim Huseinin. Në këtë fshat forcat maqedonase kanë patën martirizuar edhe vajzën 11-vjeçare, Adelina Arifi.
Në mesin e luftëtarëve të radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ishte edhe Murtezan Merxhan Etemi. Ai lindi më 29 korrik të vitit 1962, në fshatin Sllatinë. Babai i tij, Merxhani, mezi kishte arritur ta siguronte ekonomikisht familjen shtatanëtarëshe, duke bërë punë të rënda fizike.
Shkollën fillore, Murtezani e kishte kryer në vendlindje. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes, nuk e kishte vijuar shkollimin e mëtejmë, por pas një kohe arriti të punësohet në Fabrikën e Tekstilit “Teteks” të Tetovës, ku punoi disa vjet. Qysh i ri, ai e kishte përjetuar mbi supe shtypjen e shfrytëzimin e pushtetit antishqiptar maqedonas.
Murtezani ka qenë luftëtar në radhët e Brigadës 122 “Mujdin Aliu”. Ishte luftëtar i dalluar dhe kurdoherë në ballë të luftimeve kundër forcave të armikut, i cili gjatë kohës së luftimeve përdori çdo mjet lufte për ta asgjësuar UÇK-në dhe për ta mposhtur luftën çlirimtare të shqiptarëve të cilët kishin për synim të çliroheshin nga thundra e pushtuesit maqedonas. Në një raport të gazetarit Nexhbedin Shaqiri, thuhej se më 23 korrik 2001, në Tetovë, po zhvilloheshin luftime të ashpra ndërmjet forcave policore dhe ushtarake sllavo-maqedone dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Brenda ditës luftimet ishin zgjeruar edhe në fshatrat tjera të Tetovës që shtrihen mbi rrugën magjistrale në drejtim të Kosovës. Ndërkohë bëhej e ditur se forcat e armikut kishin granatuar fshatrat Xhepçisht dhe Poroj dhe nga pasojat e atyre bombardimeve ishin vrarë disa qytetarë shqiptarë. Fshati Sllatinë, ashtu si edhe herën e parë, tani po ballafaqohej me luftime të ashpra. Ushtria Çlirimtare Kombëtare ishte hedhur në luftë me një moral shumë të lartë të ushtarëve të saj. Ajo kishte premtuar se do t’i vënte nën kontroll paramilitarët maqedonë, që po kërcënonin popullsinë civile shqiptare.
Atë ditë forcat maqedonase kishin sulmuar edhe nga helikopterët ushtarakë, por luftëtarët e lirisë ishin barrikaduar nëpër bodrumet e shtëpive dhe kishin përballuar me sukses sulmet e armikut
Në orët e vona të pasditës, rreth orës 17:00, disa aeroplanë ushtarakë gjëmonin mbi rrugën magjistrale, në anën e fshatrave që shtrihen mbi këtë magjistrale. Vetëm disa minuta pas fluturimit të aeroplanit, një konvoj i automjeteve të blinduara të policisë armike kishte përshkuar rrugën kryesore në drejtim të fshatit Tearcë. Kolona e përbërë prej gjashtë autoblindave kishte arritur nëpërmjet një rruge anësore, duke depërtuar paraprakisht nëpër fshatrat me popullatë maqedonase, gjersa luftimet po zhvilloheshin në brendi të fshatit Leshkë, para se forcat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të hidheshin në aksionin e tyre përfundimtar për sulmin e punktit policor në rrugën magjistrale në fund të fshatit Leshkë. Kolona e autoblindave kishte hasur në rezistencë të fuqishme të luftëtarëve shqiptarë, përgjatë rrugës, gjersa ajo ishte përpjekur të stacionohej në fshatin Tearcë si vendi më i sigurt për to. Nga momenti kur autoblindat e forcave maqedonase kishin dalur në rrugën kryesore, ato kishin hapur zjarr nga armët e tyre, në mënyrë të pakontrolluar, në drejtim të fshatit Sllatinë. Gjatë luftimeve atë ditë bie heroikisht Murtezan Etemi. Luftime të ashpra vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes. Lajmi për sukseset e asaj beteje të UÇK-së, në pastrimin e terrenit nga grupet militare e paramilitare maqedonase ishte përhapur kudo.
Murtezan Etemi u varros me nderime nga bashkëluftëtarët dhe banorët në varrezat e fshatit. Ai la pas vetes, djalin, vajzën, prindërit dhe katër vëllezërit. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …