Komunikimet e zbardhura nga dosja e Prokurorisë, të siguruara ekskluzivisht nga VOX Kosova, nxjerrin në pah një nga rastet më flagrante të keqpërdorimit të pushtetit në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Faruk Mujka, ish-Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci, del të ketë ndërhyrë drejtpërdrejt te ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe më pas te drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, për avancimin e një militanti të Vetëvendosjes. Bëhet fjalë për Vllaznim Mustafën, zyrtar korrektues në Burgun e Gjilanit, i cili nuk e kishte kaluar testin për pozitën e mbikëqyrësit të ndërrimit – madje, sipas dokumenteve zyrtare, ai as nuk kishte të drejtë ligjore të hynte në test, për shkak të një mase disiplinore aktive. Pavarësisht kësaj, përmes një zinxhiri ndërhyrjesh politike dhe telefonatash në WhatsApp, kandidati i dështuar u shpërblye me pozitë, duke shkelur brutalisht procedurat ligjore dhe duke e shndërruar konkursin publik në farsë partiake. Ky rast dëshmon se avancimet në Shërbimin Korrektues nuk janë rezultat i meritës, por i lidhjeve politike, ndërsa ligji shkelet pa asnjë ndjenjë përgjegjësie. /Vox kosova/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
