Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje pas publikimit nga VOX Kosova të pjesës së dytë të mesazheve të Faruk Mujkës, që, sipas raportimeve, dëshmojnë ndërhyrje politike në emërime brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Hoti ka akuzuar Vetëvendosjen për kapje të institucioneve dhe për shkatërrimin e besimit të qytetarëve në shtet. “Turpi ju mbuloftë sepse e keni shkatërruar çdo institucion dhe keni humbur shpresat e qytetarëve”, ka shkruar Hoti, duke iu drejtuar drejtpërdrejt partisë në pushtet. Ai ka ironizuar procesin e avancimit të militantit të VV-së, Vllzanim Mustafa, i cili, sipas publikimit, ishte emëruar shef ndërrimi në burgun e Gjilanit përmes ndërhyrjeve te Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe drejtori i Burgjeve. “Pse duhet ta kalosh testin kur e ke mbështetjen e Ministres së Drejtësisë, e cila vetëm me drejtësi nuk ka lidhje”, ka shkruar Hoti. Ai ka shtuar se profesionistët po përjashtohen nga institucionet publike edhe kur i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore, vetëm pse nuk kanë lidhje politike me udhëheqjen e VV-së. “Një profesionist nuk mund të punësohet sepse nuk është mik me Albin Kurtin, Dejonën, Artanen apo Albulena Haxhiun”, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
