Deputetët evropianë kërkojnë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Një grup deputetësh të Parlamentit Evropian ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke i bërë thirrje që të heqin menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, njoftoi për këtë në një postim në platformën X, duke publikuar edhe letrën e plotë që iu dërgua autoriteteve të BE-së më 19 dhjetor. Në letër, deputetët e Parlamentit Evropian e cilësuan vendosjen e masave si të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive, duke theksuar se ato kanë shkaktuar një rënie të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian. Sipas tyre, ndikimi i masave ndëshkuese ndihet thellësisht në shoqërinë kosovare, duke prekur organizatat e shoqërisë civile, sektorët kulturorë dhe arsimorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektorin e energjisë dhe shumë fusha të tjera. Deputetët theksuan se ndikimi kryesor i masave ndihet në nivel lokal dhe jo qeveritar, dhe kërkuan që të gjitha masat të hiqen menjëherë, duke paralajmëruar se heqja e pjesshme nuk është e mjaftueshme. Sipas letrës, ky hap duhet të ndërmerret para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.

Kontrolloni gjithashtu

Ferat Shala: Në Kuvend kam adresuar keqmenaxhimin, abuzimet dhe devijimet në sektorë kyç

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se gjatë mandatit …