OVL e UÇK’së kritikon Gjykatën Speciale pas vdekjes së babait të Salih Mustafës: “Drejtësia pa humanizëm është padrejtësi”

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së ka reaguar ashpër për vdekjen e babait të Salih Mustafës, Jahja Mustafa, duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë për refuzimin e Gjykatës Speciale në Hagë që t’i mundësojë Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij në momentet e fundit të jetës. “OVL UÇK shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit,” theksohet në reagim. Sipas OVL-së, vendimi i Speciales përbën shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut: “Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale. Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar.” OVL e UÇK-së i shpreh gjithashtu ngushëllime të sinqerta familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën Jahja Mustafën, duke theksuar humbjen e madhe morale dhe emocionale që solli kjo situatë. Ky reagim nënvizon mungesën e humanizmit dhe sensibilitetit nga Gjykata Speciale dhe ngre pyetje serioze mbi respektimin e të drejtave themelore të të dënuarve dhe familjeve të tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …