Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka lëshuar një alarm politik për drejtimin strategjik të Kosovës, duke kërkuar rikthim urgjent në boshtin e fortë perëndimor dhe duke kritikuar hapur gjendjen aktuale të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë. Në një video-mesazh të publikuar sot, Hoxhaj rikujtoi momentet kyçe të historisë moderne të Kosovës, duke theksuar se liria dhe shtetësia e saj janë produkte direkte të orientimit pro-perëndimor. Ai theksoi se zgjedhja strategjike e Kosovës është bërë në rrethana ekstreme, në kohë lufte dhe pasigurie totale. “Kur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në male përballë Serbisë, pa shtet, pa ushtri dhe pa garanci, Kosova bëri zgjedhjen e saj historike: Perëndimin,” deklaroi Hoxhaj, duke nënvizuar se ky orientim nuk ishte rastësi, por domosdoshmëri historike. Ai e cilësoi Konferencën e Rambujesë si “kontratën e parë të shqiptarëve të Kosovës me Perëndimin”, duke e përshkruar atë si momentin që hapi rrugën për ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimin e Serbisë. Sipas tij, kjo ishte një nga ngjarjet më vendimtare dhe më madhështore në historinë e Kosovës. Hoxhaj theksoi se “kontrata e dytë” ishte Shpallja e Pavarësisë së Kosovës. “Sot, në vitin 2025, realiteti është alarmues. Dialogu strategjik me SHBA-në është ndërprerë. Besimi është lëkundur. Izolimi është real,” tha ai, duke nënkuptuar se politikat aktuale po e largojnë Kosovën nga aleatët kyç.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
