Nëna Terezë

Shqiptarja e mirënjohur, Gonxhe Bojaxhiu, tani e tutje do të quhet, Shën Tereza

Prej sot, më 4 shtator 2016, misionarja me origjinë shqiptare, Agnesë, Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si  Nëna Terezë do të quhet, Shën Tereza. Ndërkohë, prej të premtes në Vatikan ka hyrë në zbatim plani i sigurisë së lartë i hartuar nga Prefektura e Romës me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të humanistes shqiptare, ku janë parashikuar të marrin pjesë rreth 100 mijë besimtarë në meshën e Shenjtërimit të Nënës Tereze. Praninë e kanë konfirmuar delegacione qeveritare nga e gjithë bota. Ndërsa, rreth 600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë janë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe. Për të marrë pjesë në këtë manifestim fetar  kanë shkuar në Vatikan  edhe krerët e lartë të vendit, kryetari, Hashim Thaçi, kryekuvendari Veseli, kryeministri Mustafa dhe liderë të partive politike. PO ashtu në Vatikan po qëndrojnë edhe delegacione nga Shqipëria dhe Maqedonia.

(Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare,  në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë. Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003. Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian, të sëmurë me tumor në tru. Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: e diele, 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri Kurti refuzon kërkesën për hapa konkretë, lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe

Në një takim me diplomatët e shteteve të Quint-it, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka …