Gjatë deklarimeve të sotme në objektin e Trustit Pensional, drejtori menaxhues Adrian Zalli dhe kryesuesi i Bordit Emanuel Bajra kanë folur për rënien e tregjeve financiare globale pas vendosjes së tarifave nga presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka pësuar një rënie më të vogël krahasuar me tregjet ndërkombëtare. Sipas Zallit, gjatë muajve mars dhe prill tregjet globale shënuan rënie deri në 20 për qind, ndërsa fondi pensional i Kosovës rreth 7 për qind. Ai e arsyetoi këtë diferencë me strategjinë e ndarjes së rrezikut sipas grupmoshave dhe orientimin afatgjatë të investimeve, duke theksuar se Trusti nuk investon me logjikë vjetore, por me plane pesëvjeçare. Argumenti i “afatgjatësisë” nuk u shoqërua me garanci konkrete për mbrojtjen e kursimeve të atyre që janë më afër pensionimit, përtej deklarimit se rreziku për ta është zero. Nga ana tjetër, kryesuesi i Bordit, Emanuel Bajra, vuri theksin te ulja e tarifave dhe rritja e aseteve, duke i cilësuar tarifat investuese prej 0.30% dhe ato operative 0.47% si historikisht më të ulëtat. Ai pranoi vështirësitë e operimit në një ekosistem me mandate “jashtëzakonisht pasive”, por theksoi se përmes taktikave të brendshme është arritur ruajtja e performancës. Përfaqësuesit e Trustit pranuan se faktorët globalë të paparashikueshëm kanë ndikuar në performancë, por insistuan se menaxhimi i rrezikut ka qenë i kujdesshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
