Media ndërkombëtare i ka kushtuar vëmendje të gjerë fitores zgjedhore të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke e përshkruar atë kryesisht si një figurë “polarizuese”. BBC thekson se fakti që kosovarët votuan “një figurë kaq polarizuese” tregon, sipas saj, një qëndrim të paragjykuar ndaj alternativave politike. Transmetuesi britanik vlerëson se Kurti ka arritur ta ripërsërisë fitoren e para gati pesë vitesh, duke siguruar rreth gjysmën e elektoratit, përfshirë edhe një mobilizim të konsiderueshëm të diasporës, e cila vazhdon ta mbështesë fuqishëm figurën dhe narrativën e tij kombëtare.
Shtypi ndërkombëtar, në përgjithësi, e cilëson Kurtin si “nacionalist të majtë”. Gazeta spanjolle El País shkruan: “Nacionalisti Albin Kurti fiton zgjedhjet me një margjinë të gjerë”. Ndërkohë, The Guardian vlerëson se një nga sfidat kryesore të mandatit të ri do të jetë riparimi i marrëdhënieve të dëmtuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Agjencia Reuters shkruan se fitorja e Kurtit i jep fund një bllokade politike dhe se kjo “potencialisht do të përcaktojë agjendën e brendshme dhe ndërkombëtare për vite me radhë”.
Në një intervistë për AFP-në pas fitores, Kurti deklaroi se presidenti serb Vuçiç duhet të pranojë të paktën “njohjen de facto” të Kosovës. Ai theksoi se normalizimi i marrëdhënieve është i vështirë për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe refuzimit të saj për të pranuar krimet e luftës.
Kurti vendosi kushte edhe për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiçit për t’u përballur me drejtësinë për dhunën e vitit 2023 në Kosovë. Ai paralajmëroi gjithashtu se lidhjet e ngushta të Beogradit me Moskën përbëjnë një rrezik serioz për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
