Ngërçi politik që ka mbërthyer Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 po prodhon kosto të konsiderueshme politike dhe institucionale për vendin, ndërsa skadimi i mandatit të Presidentes Vjosa Osmani këtë pranverë ka hapur në mënyrë të qartë betejën për Presidencën. Në një paraqitje televizive, Osmani e shpalli hapur kandidaturën për një mandat të dytë, duke theksuar se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit duhet të veprojë me urgjencë për të rikuperuar kohën e humbur. Ajo vlerësoi se vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë gjatë vitit të kaluar kanë lënë pas çështje kyçe ekonomike, integruese dhe institucionale. Presidentja kërkoi që menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së re, Kuvendi të procedojë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimin e buxhetit të shtetit, duke e cilësuar këtë si interes vital për funksionimin normal të Kosovës. Deklarata e Osmanit më 31 dhjetor, ku ajo përmendi edhe mundësinë e rikthimit të saj në garën elektorale, u interpretua nga analistët si një paralajmërim i nënkuptuar politik, duke sinjalizuar se Presidentja është e gatshme të përdorë edhe kartën e zgjedhjeve për të forcuar pozicionin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
