Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese në Hagë, duke pretenduar se atij i janë shkelur të drejtat elementare të njeriut në rastin e dytë për pengim të drejtësisë. Në parashtresë, avokatët e Thaçit theksojnë se janë cenuar rëndë të drejtat e tij për privatësi, duke argumentuar se, përmes vendimeve gjyqësore, atij i janë incizuar fshehtas bisedat private dhe i janë sekuestruar pajisjet personale. Mbrojtja përmend konkretisht emrat e gjyqtares Marjorie Masselot dhe gjyqtarit Nicolas Guillou, të cilët, sipas parashtresës, kanë nxjerrë urdhra që kanë mundësuar regjistrimin e fshehtë të bisedave private të Hashim Thaçit, si dhe aksesin e tyre nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe palë të tjera. Po ashtu, në ankesë theksohet se këta urdhra kanë lejuar sekuestrimin dhe kontrollin e kompjuterit të ish-presidentit, si dhe nxjerrjen e të dhënave nga pajisjet e tij, të cilat përfshinin korrespondencë private dhe shkrime personale. “Saktësisht, si Gjyqtar i Vetëm dhe Gjyqtar i Procedurës Paraprake, si Gjyqtarja Masselot ashtu edhe Gjyqtari Guillou dhanë urdhra që mundësonin regjistrimin e fshehtë të bisedave private të z. Thaçi dhe aksesin në këto biseda nga ZPS-ja dhe të tjerët. Ata gjithashtu nxorën urdhra që mundësonin sekuestrimin dhe kontrollin e kompjuterit të z. Thaçi, si dhe nxjerrjen e të dhënave prej tij, të cilat përfshinin korrespondencën dhe shkrimet e tij personale”, thuhet në parashtresën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.
Mbrojtja kërkon që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e këtyre veprimeve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
