LDK në krizë të hapur: Akuza, kërcënime dhe përplasje publike pas debaklit zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një nga krizat më të thella të brendshme në historinë e saj politike, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku partia humbi rreth 52 mijë vota dhe pesë ulëse në Kuvend, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Përçarjet, që për një kohë të gjatë ishin të kamufluara brenda strukturave partiake, tashmë kanë shpërthyer hapur në publik. Deputetja e LDK-së, Shqipe Pantina, ka adresuar kritika të ashpra ndaj drejtimit të partisë, duke thënë se LDK-ja humbi fokusin politik duke u marrë pothuajse ekskluzivisht me kundërshtimin e kryeministrit Albin Kurti, pa ofruar një alternativë serioze dhe bindëse për qytetarët. “Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të bësh reformë duke larguar strukturat e vjetra. I është dhënë hapësirë dikujt që nuk e njeh LDK-në dhe vjen nga fusha krejt tjera, duke krijuar rezistencë te anëtarësia”, ka deklaruar Pantina. Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të ashpra brenda partisë. Sokol Havolli i është kundërpërgjigjur publikisht Pantinës, duke e akuzuar për goditje të qëllimshme ndaj LDK-së dhe për dështime personale politike. Ndërkohë, ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryeministri Isa Mustafa ka zgjedhur distancimin, duke deklaruar se nuk i takon të japë vlerësime publike dhe se çështjet do të trajtohen brenda organeve të partisë, një qëndrim që për shumëkënd shihet si shmangie nga përgjegjësia politike. Në të njëjtën frymë kritike, ish-deputeti i LDK-së Agim Veliu ka vlerësuar se rezultati zgjedhor është alarm i qartë për dështimin e drejtimit aktual, duke kërkuar analizë të thellë, hapje të brendshme dhe zgjedhje të reja në të gjitha nivelet e partisë.

Kontrolloni gjithashtu

Heqja e masave nga BE-ja: Shans i vonuar për Kosovën apo lehtësim i kushtëzuar politik?

Bashkimi Evropian ka nisur më në fund procesin e heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, …