Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ndodhet në fazën përfundimtare të procedurave për ngritjen e aktakuzës lidhur me vrasjet e kryera ndaj Familjes Jashari në Prekaz, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se aktakuza do të paraqitet shumë shpejt, duke theksuar se hetimet janë drejt përmbylljes. “Shumë shpejt do ta kemi një aktakuzë për masakrën që ka ndodhur në Familjen Jashari në Prekaz. E them shumë shpejt,” ka deklaruar Isufaj. Ndërkohë, lidhur me aktakuzën për Masakrën e Reçakut, përvjetori i së cilës u shënua më 15 janar 2026, Isufaj ka bërë të ditur se Prokuroria ka lëshuar urdhër-arreste për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast. Ai ka shtuar se autoritetet kosovare kanë kërkuar bashkëpunim juridik edhe nga Serbia, ndonëse janë të vetëdijshëm se një përgjigje pozitive nga ana e saj nuk pritet. “Janë lëshuar urdhër-arrestet për të gjithë personat që figurojnë në aktakuzë. Për këtë çështje kemi kërkuar bashkëpunim juridik edhe me Serbinë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se ata nuk do të na përgjigjen,” tha Isufaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
