Procesi i rinumërimit të votave për kandidatë për deputet në disa komuna të Kosovës ka nxjerrë në pah diferenca të thella krahasuar me numërimin fillestar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas të dhënave deri tani, kur janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime të parashikuara për rinumërim, diferenca kumulative ka arritur në rreth 15 mijë vota. Prej tyre, rreth 9 mijë vota janë hequr, ndërsa mbi 3 mijë janë shtuar për kandidatë të partive të ndryshme politike.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë të ditur se dallimet më të mëdha janë evidentuar te Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Sipas tij, lista e PDK-së ka pësuar ndryshim prej rreth 7,719 votash, e ndjekur nga LVV me rreth 2,947 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me rreth 1,676 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me rreth 639 vota. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur rinumërimin e votave për kandidatë për deputet në të gjitha komunat e Kosovës. Në 10 komuna është vendosur rinumërim i plotë, ndërsa në 28 komuna të tjera rinumërimi do të përfshijë 10 për qind të vendvotimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
