Rinumërimi i votave rrezikon afatet kushtetuese: Kosova drejt një ngërçi institucional?

Procesi i zgjatur i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shndërrohet në një kërcënim serioz për respektimin e afateve kushtetuese dhe stabilitetin institucional të vendit. Deri më 18 janar 2026 janë rinumëruar vetëm 445 nga 914 vendvotime, çka nënkupton se procesi ende s’ka arritur as gjysmën, pavarësisht se ka nisur më 13 janar. Sipas njohësve të çështjeve juridike dhe zgjedhore, zvarritja aktuale rrit ndjeshëm gjasat që rezultatet përfundimtare të certifikohen vetëm në shkurt, apo edhe më vonë nëse shkohet në rinumërim të plotë. Kjo do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe mbi të gjitha në zgjedhjen e Presidentit, e cila sipas Kushtetutës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, pra deri më 5 mars. Ekspertët paralajmërojnë se dështimi për t’i përmbushur këto afate mund ta fusë Kosovën në një cikël institucional pa zgjidhje të qartë, ku mungesa e institucioneve funksionale do ta thellonte krizën politike dhe do ta dëmtonte besueshmërinë demokratike të procesit zgjedhor. Edhe pse KQZ ka ndërmarrë hapa për përshpejtim duke dyfishuar numrin e tavolinave të numërimit, mbetet e paqartë nëse kjo do të mjaftojë për të shmangur një përplasje direkte me afatet kushtetuese. Në këtë situatë, përgjegjësia politike dhe institucionale për të garantuar stabilitet bie mbi të gjithë akterët, ndërsa çdo vonesë e mëtejme rrezikon të ketë pasoja afatgjata për funksionimin e shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Burim Ramadani, në reagimin e tij ndaj Sveçlës për të shtënat në Ujman, ka thënë se ministri nuk ka verifikim të sigurisë

Burim Ramadani: Shkelje e rëndë e vullnetit qytetar dhe e demokracisë

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet, Burim Ramadani, ka reaguar me tone …