Nasim Haradinaj kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë për ligjëratat nga Gjykata Speciale

Për ligjëratën e mbajtur me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka reaguar ashpër nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili e ka cilësuar këtë aktivitet si të papranueshëm dhe ndërhyrje të rrezikshme në ambientet arsimore. Haradinaj ka kërkuar publikisht ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit, si dhe mbylljen e organizatës që ka mbajtur ligjëratën në shkollë, duke theksuar se institucione të tilla nuk duhet të shndërrohen në platforma për promovimin e narrativave që, sipas tij, dëmtojnë luftën çlirimtare të UÇK-së dhe ndjeshmërinë kombëtare. Një ligjëratë e mbajtur me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku është trajtuar edhe tema e Gjykatës Speciale, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në radhët e përfaqësuesve të shoqërisë. Pas përfundimit të ligjëratës, nxënësit janë ftuar të plotësojnë formularë vlerësimi, ku janë pyetur për organizimin e aktivitetit, sasinë e informatave dhe qartësinë e prezantimit në lidhje me Gjykatën Speciale. Sipas burimeve nga aktiviteti, në disa komente është shprehur pakënaqësi për përgjigjet e marra, ndërsa në një prej tyre është shkruar edhe mesazhi simbolik “Free Hashim Thaçi”, që tashmë është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale.  “Kjo është një lojë e rrezikshme me ndërgjegjen e brezave të rinj. Shkollat nuk janë vend për eksperimente politike dhe ideologjike,” ka deklaruar Haradinaj, duke paralajmëruar se raste të tilla nuk duhet të përsëriten.

Kontrolloni gjithashtu

Rinumërimi i votave në Kosovë tregon ndryshime të dukshme, PDK dhe LDK përfitojnë kandidatë të caktuar

Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Kosovë po vazhdon, …