Pas vendimeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të zhvilluara më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka sqaruar se rezultati përfundimtar do të jetë ai që del nga procesi i rinumërimit, dhe jo ai i dalë fillimisht nga Qendrat Komunale të Numërimit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se ligji i jep të drejtë këtij institucioni të vendosë për rinumërimin në çdo vendvotim apo qendër numërimi, dhe për rrjedhojë, rezultatet që do të shpallen përfundimtare do të jenë ato nga rinumërimi. Ky vendim u mor pas një verifikimi në 33 vendvotime, ku u konstatua se numërimi fillestar nuk pasqyronte saktë votat në fletëvotime. Procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar 2026 dhe, deri tani, janë përpunuar mbi 50% e vendvotimeve. Fillimisht ishte parashikuar rinumërimi i 914 vendvotimeve, por me vendimin e 19 janarit, procesi u zgjerua për të përfshirë gjithsej 2 557 vendvotime. Elezi ka bërë të qartë se, pavarësisht numërimit fillestar në Qendrat Komunale, rezultati i vlefshëm do të përcaktohet vetëm nga rinumërimi i plotë i të gjitha vendvotimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
