Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të fotografive dhe videove të kryeministrit Albin Kurti në Gjilan, ku ai u shfaq pranë asaj që u prezantua si prodhues i dronëve. Haradinaj e quajti këtë rast një tjetër dëshmi të asaj që ai e cilëson si fytyra reale e pushtetit aktual, duke e vlerësuar si propagandë dhe jo si veprim serioz qeverisës. “Skandali me foto e video të Kurtit me ‘dronin imagjinar’ është vetëm një nga qindra rastet që tregojnë se çfarë pushteti kemi përballë”, deklaroi Haradinaj. Sipas tij, Qeveria Kurti është e përfshirë nga një mani për imazh publik dhe spektakël medial, në vend se të fokusohet në çështje thelbësore për qytetarët dhe shtetin. “Etja për fotografi dhe showbiz është bërë mani e këtij pushteti”, theksoi ai, duke shtuar se kjo qasje po e zëvendëson përgjegjësinë institucionale. Në fund të reagimit të tij, Haradinaj përdori një gjuhë të ashpër ndaj qeveritarëve, duke u bërë thirrje që të ndalin, sipas tij, talljen me opinionin publik. “Kur do të ndaleni një herë?”, përfundoi Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
