Kadri Kryeziu demanton Kusarin: Aktgjykimi i Kushtetueses nuk e zhbllokon Kuvendin pa nënkryetarin serb

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, e ka cilësuar si të gabuar deklaratën e deputetes Mimoza Kusari Lila, e cila kishte thënë se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese i lejon Kryesisë së Kuvendit të vazhdojë punën edhe nëse nuk zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb. Kryeziu ka sqaruar se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta dhe nuk lënë hapësirë për interpretime politike. Sipas tij, Kuvendi mund të vazhdojë punën vetëm në rastet kur partia që ka të drejtën e nominimit për nënkryetar nuk e shfrytëzon këtë të drejtë. “Nëse Lista Serbe propozon kandidatë dhe ata nuk marrin shumicën e nevojshme të votave, procesi nuk mund të konsiderohet i përfunduar. Do të doja të ishte ndryshe, por kjo është gjendja reale juridike”, ka shkruar Kryeziu, duke e hedhur poshtë interpretimin e Kusarit. Megjithatë, ai ka theksuar se Kusari ka të drejtë në një pikë thelbësore: Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të detyrohet të votojë “pro” asnjë kandidat. Kryeziu ka rikujtuar rastin e vitit 2025, kur partitë e tjera refuzuan të votojnë kandidatin e LVV-së për Kryetar të Kuvendit, pavarësisht se kësaj partie i takonte e drejta ekskluzive e nominimit. “Nuk ekziston asnjë mekanizëm kushtetues që i detyron deputetët të votojnë për një kandidat që nuk e mbështesin”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se çdo bllokadë eventuale në konstituimin e Kuvendit nuk është çështje juridike, por problem politik.

Kontrolloni gjithashtu

Prokuroria e Shtetit

Prokuroria kërkon paraburgim për 15 zyrtarë zgjedhorë në Gjakovë për falsifikim votash

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 15 persona, të …