Forca e Sigurisë së Kosovës po shënon avancim të vazhdueshëm në fuqizimin e kapaciteteve të saj, duke u renditur në vendin e 138-të nga 145 shtete të botës në indeksin e fundit të platformës prestigjioze ndërkombëtare “Global Firepower” për vitin 2026 — tre pozita më lart krahasuar me vitin paraprak.Ky përmirësim vjen në kohën kur është duke u zhvilluar faza e tretë dhe përfundimtare e transformimit të FSK-së në ushtri të mirëfilltë, proces që ka nisur më 2025 dhe pritet të përmbyllet më 2028, me zgjerim të kapaciteteve tokësore dhe shtimin e komponentës ajrore. Kosova tashmë posedon sisteme moderne pa pilot, përfshirë dronët turq “Bayraktar” dhe fluturaket amerikane “Puma”, ndërsa në planet e pajisjes janë edhe helikopterët amerikanë “Black Hawk”, që pritet të rrisin ndjeshëm aftësinë operacionale dhe reagimin në terren. Sipas të dhënave të publikuara, kapaciteti maksimal mobilizues i mbrojtjes së Kosovës arrin mbi 17,500 persona, me rreth 9,500 pjesëtarë të armatosur, përfshirë 4,000 rezervistë. Në dispozicion janë mbi 1,300 automjete të blinduara, ku qindra prej tyre janë të gatshme për përdorim të menjëhershëm operativ. Avancimi i Kosovës në këtë indeks ndërkombëtar shihet si reflektim i investimeve në profesionalizëm, pajisje moderne dhe partneritete strategjike, duke forcuar pozicionin e vendit në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
