KESCO ka dorëzuar kërkesën për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, duke parashikuar rritje të tarifave të energjisë elektrike rreth 20% nga 1 prilli i këtij viti. Kjo do të shënonte herën e tretë që energjia shtrenjtohet gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti”, duke rritur barrën mbi qytetarët dhe bizneset. Sipas kërkesës, importi i energjisë për vitin 2026 parashikohet të kushtojë rreth 230 milionë euro, ndërsa importi përbën rreth 9% të konsumit të përgjithshëm të energjisë. Përveç kësaj, KESCO ka parashikuar 11 milionë euro për mirëmbajtje, 228 milionë euro për shpenzime të bartshme, 11.1 milionë euro për shpenzime të tjera dhe 50 milionë euro korrigjime, duke çuar kërkesën totale në 528.78 milionë euro. Ky lloj shtrenjtimi i përsëritur vjen në një kohë kur prodhuesit vendorë dhe qytetarët përballen tashmë me kosto të larta, duke rrezikuar fuqinë blerëse dhe stabilitetin ekonomik, ndërsa Oda Ekonomike dhe ekspertët paralajmërojnë për pasoja të rënda për bizneset dhe klimën e investimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
