Platforma “Liria ka Emër” po vazhdon mobilizimin nëpër komuna për marshin e paralajmëruar të 17 shkurtit në Prishtinë, duke rritur presionin publik rreth çështjes së çlirimtarëve dhe raportit mes drejtësisë dhe politikës. Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë qëndruar të mërkurën në Komunën e Burimit, ku kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të kategorive të ndryshme shoqërore. Sipas njoftimit për media, ata kanë prezantuar aktivitetet dhe qëllimet e platformës në kuadër të organizimit të Marshit “Drejtësi, jo politikë”. Nga platforma është bërë e ditur se gjatë këtyre takimeve kanë marrë mbështetje nga mësimdhënës, pensionistë, fermerë dhe përfaqësues të OVLUÇK-së në Istog për pjesëmarrje dhe përkrahje të marshit në mbështetje të çlirimtarëve. Sipas deklaratës së tyre, marshi synon të paraqitet si thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, si dhe për ndarjen e proceseve gjyqësore nga ndikimet politike. Platforma ka paralajmëruar se do të vazhdojë takimet mobilizuese në të gjitha komunat e Kosovës për të zgjeruar përfshirjen qytetare para aktivitetit të paralajmëruar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
