Haki Abazi akuzon LVV-në për përplasje të qëllimshme me Kushtetuesen dhe diskreditim të institucionit

Ish-deputeti Haki Abazi ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me mënyrën se si, sipas tij, kjo parti po reagon ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar qasjen e saj si tentativë për shtrembërim të vendimeve dhe minimin e besimit publik në institucionet kushtetuese. Sipas vlerësimit të tij, është krijuar një praktikë që VV t’i interpretojë vendimet e Kushtetueses në mënyrë selektive, varësisht interesit politik. Ai tha se kur vendimet nuk përputhen me strategjinë e partisë në pushtet, ato paraqiten si të gabuara, jo valide ose në kundërshtim me frymën kushtetuese. Abazi shkoi më tej duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se përmes figurave brenda qeverisë po tentohet, siç u shpreh ai, “bastardimi i kredibilitetit” të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vetë fakti që zyrtarë politikë përpiqen të relativizojnë vendimet e organit më të lartë kushtetues përbën presion dhe dëm për rendin institucional. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se qëllimi real i VV-së është vazhdimi i përplasjes me Kushtetuesen, duke e lidhur këtë me zhvillimet rreth zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga Lista Serbe. Sipas Abazit, situata po përdoret për tensionim politik dhe për të shtyrë zgjidhjen e çështjeve institucionale.

Kontrolloni gjithashtu

Platforma “Liria ka Emër” mobilizohet në Istog për marshin e 17 shkurtit, shtohet presioni publik për çështjen e çlirimtarëve

Platforma “Liria ka Emër” po vazhdon mobilizimin nëpër komuna për marshin e paralajmëruar të 17 …