Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas paraqitjes së fjalëve përfundimtare në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë Lladrovci e ka cilësuar procesin si të padrejtë dhe të pabesueshëm, duke theksuar se është bazuar në prova të marra nga shteti gjenocidal, me akuza të fabrikuara dhe dëshmitarë jokredibilë, përkundër luftës së drejtë të UÇK-së, në pajtim me normat ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me NATO-n. Ai ka theksuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë simbol i luftës së drejtë, drejtësisë për liri dhe strategë të shtetit dhe paqes. “Prandaj, i vetmi vendim i drejtë është shpallja e pafajësisë së tyre,” shkroi Lladrovci. Sipas tij, drejtësia në Hagë ndaj heronjve të luftës është pjesë e pandashme e themeleve të shtetit të Kosovës, e lidhur ngushtë me vlerat e aleancës historike me NATO-n dhe SHBA-në, si dhe me të drejtën për të qenë një shtet demokratik, burim i paqes dhe sigurisë rajonale. “Lirimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes është i vetmi vendim i drejtë, dhe ne i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!” – përfundoi Lladrovci.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
