Fidair Berisha

Fidair Berisha: Rreziqet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, është përballur me një mori sfidash shumë komplekse, të cilat lidhen drejtpërdrejt me ndërtimin e shtetit, garantimin e demokracisë, si dhe me sigurinë publike e kombëtare. Rrjedhimisht, këto sfida manifestohen në formën e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme, të cilat kanë ndikuar në stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe pozicionimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Sipas asaj që vërehet, fatkeqësisht, një nga rreziqet më serioze të brendshme për shtetin e Kosovës mbetet korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këto dy dukuri jo vetëm që dëmtojnë sundimin e ligjit duke minuar besimin e qytetarëve, por pengojnë edhe investimet e huaja, të cilat janë me interes të madh për shtetin e Kosovës. Krahas këtyre rreziqeve, edhe në sistemin e drejtësisë, politizimi i institucioneve dhe moszbatimi i mjaftueshëm i ligjit krijojnë një mjedis ku abuzimi me pushtetin dhe mosndëshkimi po bëhen probleme gjithnjë e më të mëdha.

Papunësia e lartë është tregues i qartë se gjendja socio-ekonomike nuk është e mirë; kjo ndikon drejtpërdrejt te të rinjtë, të cilët nuk shohin perspektivë, duke nxitur emigrimin masiv dhe duke krijuar pakënaqësi sociale që mund të shfrytëzohen nga grupe të ndryshme për qëllime dashakeqe ndaj Kosovës.

Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë të një polarizimi të lartë politik, ku bojkoti institucional dhe mungesa e konsensusit për çështje madhore shtetërore pengojnë funksionimin normal të institucioneve. Po ashtu, mungesa e dialogut konstruktiv ndërmjet forcave politike përbën një rrezik të mundshëm të brendshëm në kuptimin e sigurisë publike. Një nga rreziqet e brendshme konsiderohet edhe radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm përmes ideologjive fetare, si: salafizmi, xhihadizmi, tekfirizmi dhe islamizmi politik radikal, të cilat paraqesin rrezik potencial për sigurinë dhe kohezionin shoqëror.

Sa i përket rreziqeve të jashtme për shtetin e Kosovës, ato lidhen ngushtë me pozitën gjeopolitike të vendit dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe me faktorët ndërkombëtarë. Që nga viti 1999 e deri më tani, sfidë kryesore mbetet marrëdhënia me Serbinë, e cila vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke përdorur njëkohësisht të gjitha mjetet për të penguar dhe kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndër të tjera, pavarësisht se në veri duket një situatë më e qetë, rreziku mbetet evident, me mundësi për përshkallëzim të situatës së sigurisë. Këto tensione jo vetëm që rrezikojnë rendin dhe sigurinë, por edhe dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Gjithashtu, mosnjohja e Kosovës nga disa shtete dhe procesi tepër i ngadalshëm i integrimit, pavarësisht faktit se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për integrim në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare, përbëjnë potencialisht rrezik për izolimin politik dhe ekonomik të vendit. Një gjendje e tillë mund të minimizojë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mekanizmat ndërkombëtarë të zhvillimit dhe sigurisë.

Lufta hibride dhe siguria kibernetike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për sigurinë kombëtare të shumë shteteve. Në këtë kuadër lidhet edhe ndikimi i aktorëve të huaj në proceset politike dhe shoqërore të Kosovës, ku fushatat e dezinformimit, dhe në raste të caktuara edhe ndërhyrjet diplomatike dhe përdorimi i presioneve politike, mund të dobësojnë institucionet shtetërore dhe të pengojnë integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: LETËR SHOQATËS SË TË BURGOSURVE POLITIK TË KOSOVËS

Në mungesë të përgjigjjes ndaj Propozim-Kërkesës për Shtatoren e të Burgosurit Politik Shqiptar në Prishtinë! …