Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë nuk lidhet vetëm me individë të caktuar, por edhe me vetë historinë dhe shtetësinë e Kosovës. Ai theksoi se në këtë proces, sipas tij, po vihet në sprovë edhe liria e vendit, duke shprehur shpresën që drejtësia ndërkombëtare të jetë e paanshme dhe gjykimet të përfundojnë me vendime të drejta. “E kemi edhe procesin në Hagë për burrat shqiptarë që po gjykohen, që kanë dhënë pothuajse çdo gjë gjatë kohës së luftës dhe sot po përballen me drejtësinë. Ne si shoqëri duhet ta kuptojmë se atje nuk po gjykohen vetëm ata katër burra, por faktikisht po gjykohet edhe liria e vendit tonë, shteti dhe shtetësia jonë,” u shpreh Rama. Ai shtoi se shpreson që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe që ish-krerët e UÇK-së të rikthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre. “Uroj që të ketë drejtësi, që gjykimet të jenë të drejta dhe t’i kemi këta luftëtarë të lirë me familjet e tyre, ashtu siç e meritojnë,” deklaroi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
