Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael të tregojnë vigjilencë të shtuar për shkak të situatës së jashtëzakonshme të sigurisë. Përmes një njoftimi publik, Demiri ka ftuar bashkatdhetarët që të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore, duke theksuar se institucionet e Kosovës po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ajo bëri të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Izrael, janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe mbeten plotësisht në dispozicion të qytetarëve kosovarë. “Në vazhdën e situatës së jashtëzakonshme, u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael të tregojnë vigjilencë të shtuar, të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore”, ka shkruar ajo. Për raste urgjente, qytetarët e Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë Ambasadën në numrin: +972 586 340450.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
