Beteja e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998, ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re. Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët. Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura, deri te gratë, plakat e pleqtë.
Mihrija lindi në fshatin Akrashtic, komuna e Vushtrrisë, më vitin 1942. Ishte martuar me Zymer Jasharin e Prekazit, me të cilin lindi dhe rriti me kujdesin e nënës së përkushtuar bijtë: Enverin, Hajzerin, Veselin, Murtezin e Imerin dhe bijat: Zyhrijen, Hajrien, Dritën, Naxhijen, Sherifen, Hanifen, Sabrijen dhe Hamiden.
Si nënë e dashur dhe grua e zakonit patriarkal, ajo ndihmonte edhe në punët e burrave, punonte pa u ndalur, me qëllim për t’i ndihmuar burrit dhe për ta ngritur familjen. Bashkëshorti, Zymeri ishte bujk dhe punonte tokën.
Ashtu sikurse edhe gratë dhe vajzat e tjera të Jasharëve, edhe Mihrija ishte në dijeni të aktiviteteve ilegale. Intervenimi i forcave serbe pritej nga dita në ditë.
Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serb kundër Jasharëve kishte filluar rreth orës 6 të mëngjesit të 5 marsit të vitit 1998.
Forcat serbe kishin zënë pocizion te vendi i quajtur Mali i Premë, rreth 200 metra përballë shtëpisë nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ato ndesheshin në breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë.
Ditën e parë të rezistencën në shtëpitë e Halit e Zymer Jasharit kanë rezistuar me armët e tyre derisa u shpenzohet tërë municioni, e gjithë familja e Mihrije Jashari.
Në një rrethim të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Mihrije Jashari me bijtë Hajzer e Murtez Jashari dhe bijat Sabrije e Hanife Jashari, si dhe Halit e Elheme Jashari, Abdullah, Bujar e Blerim Jashari me nënën e tyre Bahtije Jashari.
Në ditën e katërt, serbët me qindra forca të motorizuara të artilerisë e këmbësorisë kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit është ngritur një kompleks modest përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Në mesin e të viktimizuarve mungonin kufomat e Mihrije Jasharit dhe njëra nga bijat e saj, Sabrija. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së këtyre kufomave, por dihet se shtëpia ku kanë qëndruar familjarët e Mihrijes, është bërë blozë nga granatimet dhe flaka e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë. Mendohet se serbët i kanë tërhequr kufomat për shkak se ishin femra dhe me qëllim, që të fshihnin sadopak krimin kundër grave dhe fëmijëve.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompleksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së në Kompleksin memorial Prekaz.
Nga familja e Mihrije Jasharit kanë shpëtuar bijtë: Enveri, Veseli dhe Imeri, e bijat: Zyhrija, Hajrija, Drita, Naxhija, Sherifja dhe Hamidja.
Fatkeqësisht, nuk ka mbetur asnjë kujtim për familjarët nga Mihrija, madje as eshtrat e saj.
Familja e Mihrije Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt etj. për të rënët: Hajzerin, Murtezin, Mihrijen, Sabrijen dhe Hanifen.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (Vlorë Sahit Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
