Faleminderit Bashkisë së Vlorës, kryetares Brunilda Mersini dhe qytetarëve të Vlorës për nderimin e madh që i bënë familjes sonë dhe figurës së Kryekomandantit Adem Jashari, duke emërtuar një shesh me emrin e tij në qytetin ku Ismail Qemali ngriti flamurin e shtetit shqiptar.
Para të pranishmëve në Vlorë theksova se emërtimi i këtij sheshi nuk është nderimi i vetëm që po i bëhet Adem Jasharit. Nderimi më i madh Kryekomandantit Adem Jashari dhe babushit Hamzës iu bë në fillimet e viteve të 90-ta, kur Shqipëria, shteti amë, ju dha bukë, ju dha besë, armë dhe iu hapi portat e ushtrisë shqiptare. Për ata kjo ka qenë motivi kryesor që ta çonin deri në fund amanetin e shqiptarëve.
Edhe në ditët e Epopesë së UÇK-së, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në kullat e familjes sonë nuk u dëgjuan vetëm krismat e armëve, por edhe këngët. Motra ime Besarta ka treguar se kënga e fundit që Adem dhe Hamza këndonin para se të binin ishte:
“O moj Shqipëri, mos thuaj mbarova,
se djemtë e tu hala janë gjallë.”
Kjo këngë ishte një betim dhe një mesazh se ideali i lirisë nuk vdes kurrë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. 

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
