Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për mospërputhje të theksuar mes deklarimeve publike dhe veprimeve në terren. Në një reagim në Facebook, Tahiri ka ironizuar atë që e cilëson si “transformim politik” të Kurtit, nga një lider që premtonte shuarjen totale të strukturave ilegale, në një kryeministër që sipas saj po bën kompromis të hapur me to. “Një përparim nga Kurti – nuk e fshehu kompromisin për strukturat ilegale, megjithëse i thoshte popullit se i kishte shuar”, ka shkruar ajo. Sipas Tahirit, kjo situatë nuk është vetëm çështje retorike, por dëshmi e një qasjeje që, siç nënkupton ajo, po lëkund besimin e qytetarëve në premtimet e bëra për rend dhe ligj në veri të vendit. Ajo lë të kuptohet se ndryshimi i qëndrimeve të qeverisë aktuale përbën jo vetëm devijim politik, por edhe pranim indirekt të një realiteti që më herët ishte mohuar kategorikisht.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
