Ish-komandanti i UÇK-së, Sadik Halitjaha ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së vendosur në qendër të Prishtina, duke e cilësuar atë si një përpjekje për shtrembërim të fakteve historike dhe relativizim të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ai, ngriti shqetësimin se në këtë ekspozitë viktimat civile paraqiten pjesërisht si të armatosura dhe se shifrat e viktimave janë minimizuar, gjë që sipas tij synon të deformojë të vërtetën dhe të zbusë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve. Ai theksoi se një paraqitje e tillë mund të krijojë perceptime të rreme, duke i cilësuar vrasjet si “dëme kolaterale lufte”, dhe jo si krime të qëllimshme ndaj civilëve. Kjo përbën një rrezik serioz për faktografinë historike dhe për përpjekjet për drejtësi ndërkombëtare. Halitjaha, paralajmëroi për kujdes në trajtimin e rasteve të ndjeshme nga drejtësia, duke përmendur edhe zhvillimet që lidhen me familjen Adem Jashari. Sipas tij, mënyra e formulimit të aktakuzave duhet të jetë e tillë që të mos dëmtojë narrativën e rezistencës dhe heroizmit, por njëkohësisht të dëshmojë qartë krimet e kryera ndaj civilëve. Halitjaha bëri thirrje që institucionet e Kosovës përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur të vërtetën historike, dinjitetin e viktimave dhe vlerat kombëtare, duke mos lejuar, siç tha ai, që askush të cenojë kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
