ZPS e udhëhequr nga Kimberly West i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për përmbushje të detyrimeve të vazhdueshme për zbulimin e provave dhe jo për paraqitje të reja në kuptimin procedural. Megjithatë, mbrojtja e konsideron këtë interpretim si të gabuar dhe paralajmëron se, nëse lejohet, mund të krijojë precedent të rrezikshëm për barazinë e palëve në proces. Ajo thekson se paraqitja e njëanshme e provave, pa mundësi të plotë reagimi, cenon parimin e “barazisë së armëve”, një standard kyç i garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rregulli 136 është i qartë: pas deklaratave përmbyllëse, çështja konsiderohet e mbyllur dhe nuk lejohen më parashtrime apo prova të reja, përveç në rrethana të jashtëzakonshme. Pikërisht mbi këtë bazë, mbrojtja kërkon ndërhyrjen e trupit gjykues për të ndalur çdo veprim të mëtejshëm nga prokuroria. Ky zhvillim vjen në një moment kritik, kur rasti ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi tashmë është në duart e gjykatësve për vendim përfundimtar. Ndërkohë, kërkesa e prokurorisë për dënime deri në 45 vite burg për secilin nga të akuzuarit dhe këmbëngulja e mbrojtjes për pafajësi totale, e bëjnë këtë proces një nga më të debatueshmit dhe më të ndjeshmit në historinë e drejtësisë së pasluftës në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
