Ish-deputeti Burim Ramadani ka reaguar ndaj situatës aktuale politike në vend, duke vlerësuar se Kosova po përballet vazhdimisht me tensione dhe zhvillime që, sipas tij, e mbajnë vendin në një gjendje të paqëndrueshme. Përmes një postimi publik, Ramadani theksoi se përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi partitë politike, të cilat, sipas tij, duhet të riorganizohen për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave të qytetarëve. Ai paralajmëroi se, në mungesë të këtij riorganizimi, qytetarët vetë do të ndërmarrin hapa drejt organizimit të tyre politik. “Duket se e tëra është kthyer në një lloj drame, pasi politikanët kryesorë po e mbajnë vendin në situata të tilla vazhdimisht. Por një gjë e besoj: nëse partitë politike nuk riorganizohen, qytetarët do të riorganizohen”, ka shkruar Ramadani. Sipas tij, ekziston një numër i konsiderueshëm qytetarësh, aktivistësh dhe të rinjsh të gatshëm për t’u angazhuar në ndërtimin e një platforme të re politike, e cila do të marrë formë nëse subjektet aktuale nuk reformohen. Ramadani theksoi se një lëvizje e re popullore politike mund të formësohet në periudhën e ardhshme dhe të ndryshojë ndjeshëm skenën politike në vend, duke lënë pas një pjesë të partive ekzistuese.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
