Kosova rrezikon të humbë përgjithmonë rreth 68.8 milionë euro nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nëse deri më 30 qershor nuk përmbush obligimet kyçe të reformave. Sipas burimeve në Bruksel, paralajmërimi është bërë zyrtarisht nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila u ka dërguar letër vendeve përfituese, duke kërkuar përshpejtim urgjent të reformave. Në të kundërtën, fondet e parashikuara do të humben pa mundësi rikthimi. Problemi për Kosovën bëhet edhe më i thellë nga fakti se, sipas të dhënave të monitorimit, nuk është përmbushur asnjë nga 11 hapat e kërkuar – një bilanc që e vendos vendin në pozitën më të dobët në raport me obligimet ndaj BE-së. Kjo situatë vjen pas vonesave të gjata gjatë vitit 2025, të shkaktuara nga ngërçi politik që bllokoi ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimi Evropian, duke shtyrë edhe fillimin e pagesave nga para financimi. Nëse ritmi i reformave nuk ndryshon menjëherë, humbjet për Kosovën pritet të thellohen edhe më tej deri në fund të vitit, ndërsa në nivel rajonal vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikojnë të humbin mbi 700 milionë euro.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
