Në Ditën e Tokës vazhdon aksioni “Për Malishevën e pastër” në Marali dhe Banjë

Në kuadër të aksionit ekologjik “Për Malishevën e pastër”, sot ka vazhduar aktiviteti për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit në fshatrat Marali dhe Banjë të Komunës së Malishevës. Aksioni i sotëm u zhvillua në shënim të 22 Prillit – Ditës së Tokës, duke përcjellë mesazhe të qarta për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe kujdesit ndaj mjedisit.

Në këtë aktivitet u angazhuan qytetarë të shumtë, nxënës të shkollave dhe mësimdhënës, të cilët kontribuuan në pastrimin e hapësirave publike dhe në përmirësimin e mjedisit në vendbanimet e tyre.

Në kuadër të këtij aksioni u mbajtën edhe ligjërata ndërgjegjësuese për nxënësit dhe qytetarët. Në fshatin Marali, ligjëratën për rëndësinë e ruajtjes së ambientit e mbajti drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Izet Hoti, ndërsa në Banjë, para nxënësve dhe pjesëmarrësve foli nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i cili theksoi se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë.

Me rastin e Ditës së Tokës, nëpër shkolla të ndryshme të komunës janë organizuar edhe aktivitete të shumta edukative dhe sensibilizuese, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit tek nxënësit për rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe të një ambienti të pastër.

Aksioni “Për Malishevën e pastër” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në vendbanime të tjera të komunës, me synimin që përmes bashkëpunimit mes institucioneve, shkollave dhe qytetarëve të ndërtohet një kulturë më e fortë e kujdesit për ambientin.

Kontrolloni gjithashtu

Shërbime më të lehta dhe më efikase për qytetarët ​

Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi priti në takim përfaqësuesit e OJQ-së “EC …